Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
, 30.01.2012
Në Komisionin për Integrime Evropiane, sot, ka raportuar ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, lidhur me Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, për vitin 2012.
Me këtë rast, kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, tha se Komisioni për Integrime Evropiane është në fazën e zbërthimit të detyrave konkrete, ndërsa shtoi se tendenca e komisionit për këtë vit është që të rritet monitorimi sipas rekomandimeve të KE-së dhe sipas nevojave që Kuvendi ka kundruall Qeverisë.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, duke paraqitur Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, për vitin 2012, tha se qëllimi i këtij plani është adresimi i Raportit të Progresit, për vitin 2011.
Ajo tha PVPE-ja për vitin 2012 do të ketë fokus të veçantë në përmbushjen e obligimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe plotësimit të parakushteve për marrëveshje tregtare. "Procesi i PVPE-së ka filluar në tetor të vitit të kaluar menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit dhe është finalizuar për më pak se tre muaj.
Krahasuar me vitet paraprake PVPE-ja për 2012 është përgatitur shumë më shpejt, gjë që pasqyron një avancim të jashtëzakonshëm në kuptimin e ngritjes së kapaciteteve administrative të Qeverisë së Kosovës në avancimin e agjendes evropiane", theksoi ministrja Çitaku.
Ajo tha se PVPE-ja për vitin 2012 mbulon më shumë se 30 fusha të ndryshme të qeverisjes. Përbëhet nga 260 veprime, prej të cilave shumica janë të programuara për zbatim në vitin 2012. Nga këto, 62 veprime janë të parapara në fushën e kritereve politike, 32 veprime në atë ekonomike, si dhe 167 veprime në fushën e standardeve evropiane.
Ajo tha se gjatë hartimit të PVPE-së është siguruar harmonia e plotë me planin vjetor të punës, buxhetin si dhe strategjinë legjislative.
Më tej ajo shtoi se është shënuar progres në përllogaritjen e kostos së PVPE-së dhe lidhjen e tij me buxhetin, duke sqaruar se kostoja totale e PVPE-së për 2012, është rreth 826 mijë euro.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit lidhur me fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, ministrja Çitaku tha se lajm i mirë për vendin është fakti se Kosovës i është ofruar platforma e njejtë, sikurse e vendeve tjera të Ballkanit Përendimor dhe strategjia do të quhet udhërrëfyes, njëlloj sikurse me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, duke u përgjegjur në shqetësimet që u ngritën gjatë këtij takimi nga anëtarë të Komisionit lidhur me migrimin ilegal, Çitaku tha se sfida më e madhe të cilën e ka konfirmuar edhe komsionerja evropiane Sesilia Malmtsrom, është luftimi i imigrimit ilegal.
"Migrimi ilegal është armiku më i madh i liberalizimit të vizave dhe sfida më e madhe është luftimi kësaj dukurie si dhe i azilkërkuesve.
Ne duhet t'ua them qytetarëve se zgjidhjen e problemeve ekonomike duhet ta kërkojnë në Kosovë dhe se koha azilit për shtetasit e Kosovës ka përfunduar. Kjo çështje do të trajtohet në mënyrë të veçantë, e poashtu edhe përmbushja e kritereve sa i përket akomodimit të të drejtave të komuniteteve", tha Çitaku.
Duke folur për procesin e riatdhesimit, ministrja Çitaku falenderoi kordinimin me nivelin komunal, për angazhimin e tyre për përmbushjen e kritereve që derivojnë nga strategjia për integrimin e personave të riatdhesuar.
Anëtarët e Komisionit shprehën shqetësimin e tyre edhe për çështjen e Veriut të Kosovës, për të cilën çështje ministrja Çitaku tha se ekziston plan veprimi konkret nga Qeveria e Kosovës për rivendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë.
„KE-ja i ka kërkuar Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës dhe kemi thënë se strategjia e vetme është Plani i Presidentit Ahtisari. Qeveria e Kosovës do të prezantojë një plan veprimi bazuar në substancën e pakos së Ahtisarit", theksoi ministrja Çitaku, duke u përgjegjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit.
Pas raportimi të ministres së Integrimeve Evropiane, kryetari i Komisionit, Lutfi Haziri, sqaroi se Plani i Veprimit do të ketë sfida të mëdha, por jemi në gatishmëri që rolin tonë ta ushtrojmë me monitorim, theksoi Haziri. Ai sqaroi se komisioni parlamentar për Integrime Evropiane do të fillojë shumë shpejt monitorimin në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Më tej, anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe miratuan Planin e Punës së Komisionit, për vitin 2012.