Lajmet e fundit
Lidhur me shqetësimet në Kuvend për fletoret e punës për deputetë
, 30.01.2012
Pas shqetësimeve të ngritura në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës lidhur me përmbajtjen e fletoreve të punës për deputetë, furnizuesi i Kuvendit (sipas kontratës për furnizim), AEROCOM, i ka adresuar sot administratës së Kuvendit sqarimin se përmbajtja e notesit nuk është përcaktuar as nga Kuvendi i Kosovës e as nga furnizuesi. Kuvendi, thuhet në sqarim, ka porositur notesë A-4, në sasi 150 copë, vetëm me logon e Kuvendit.
Tutje sqarohet se citimet në fletoret e punës (notes) janë vënë nga prodhuesi serik i tyre, ndërmarrja "Fokus" me seli në Zagreb (Kroaci), duke pohuar se me të njëjtit notesë janë furnizuar një varg institucionesh qendrore të Kosovës dhe disa ndërmarrje publike, duke i përmendur ato edhe me emër.
Bazuar në gjendjen e krijuar, furnizuesi i ka kërkuar falje Kuvendit dhe ka bërë furnizimin e ri me fletoret e punës, duke mënjanuar citatet e përfolura.