Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi bëri homazhe te lapidari i dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
, 31.01.2012
Në 15-vjetorin e rënies së dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka bërë homazhe te lapidari i tyre në Pestovë të Vushtrrisë dhe ka vendosur një kurorë lulesh.
"Sot është 15-vjetori i tre heronjve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishim këtu për të nderuar jetën dhe veprën e tyre. Jemi të vetëdijshëm se rënia e tyre i ka dhënë jetë dhe liri Kosovës, i ka dhënë pavarësi dhe i ka hapur perspektiva. Besoj se ka qenë edhe vullneti i tyre dhe është dëshira jonë, që për t'u zhvilluar jeta në Kosovë, të mos ketë më kurrë nevojë që djem dhe vajza të Kosovës të japin jetën. Lavdia qoftë mbi të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë e të pavarur", tha në këtë rast kryeparlamentari Krasniqi.