Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti përfaqësues të Lëvizjes së të Papunëve
, 01.02.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot përfaqësues të Lëvizjes së të Papunëve:z. Qamil Zekolli,z. Ekrem Krasniqi dhe z.Reshat Sahitaj. Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje e informuan kryetarin Krasniqi lidhur me formimin e kësaj organizate, synimet dhe veprimtarinë e saj. Ata theksuan se kjo organizatë është jopolitike, ndërsa bën përpjekje për të zbutur papunësinë në Kosovë, duke hulumtuar edhe mënyrat e krijimit të kushteve për hapje të sa më shumë vendeve të reja të punës. U tha se papunësia nxit rininë për të braktisur vendin, në kërkim të vendeve të punës.
Kryekuvendari Krasniqi theksoi se vlen të mbështetet çdo organizim që kontribuon në zbutjen e papunësisë. Institucionet e Kosovës, theksoi ai, janë të angazhuara për ngritjen e gjithmbarshme ekonomike të Kosovës, e në këtë frymë edhe për krijimin e kushteve për punësim më të madh të atyre që kërkojnë punë.