Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 01.02.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të cilën e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi disa projektligje, raportin e punës së komisionit dhe krijoi grupet punuese për një sërë projektligjesh të tjera.

Komisioni shqyrtoi amendamentet e propozuara nga grupi punues i cili ishte caktuar të shqyrtojë amendamentet e komisionit funksional për Projektligjin për transmetimin publik në Kosovë. Projekt-amendamentet u prezantuan nga kryesuesi i grupit, Naser Osmani dhe pas shqyrtimit të hollësishëm të tyre, u përkrahën nga komisioni.

Anëtarët e komisionit përkrahën në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, të cilin e arsyetoi zv/ministri i Financave, Ramadan Avdiu.

Në vazhdim, komisioni përkrahu edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, me raportin me amendamente të komisionit funksional, si dhe miratoi planin e punës për vitin 2012.

Në këtë mbledhje u caktuan grupet punuese për shqyrtimin dhe amendamentimin e një sërë projektligjesh, të cilat janë miratuar në shqyrtim të parë në seancë plenare të Kuvendit.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa