Lajmet e fundit

REZOLUTË Për Përfundimin e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë

, 31.01.2012




Në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 dhe nenit 38 të Rregullores se Kuvendit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen plenare të mbajtur më 31 janar 2012, miratoi këtë:

                                 REZOLUTË

Për Përfundimin e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë


1. Duke njohur përparimin që ka bërë Kosova ne vitet që nga Shpallja e Pavarësisë
dhe përparimin që do të vazhdojë ta bëjë;
2. Duke mirëpritur vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të synuar
përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë gjatë vitit 2012;
3. Duke besuar se Kosova është e gatshme të pranojë vendin e vet meritor në mesin
e vendeve të pavarura të botës;
4. Të përkushtuar ndaj përmbushjes të te gjitha obligimeve që kontribuojnë në
përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë duke pasur
parasysh parimet kyçe të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit me
Kushtetutën dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës;
5. Te vetëdijshëm se Kosova gjithmonë ka arritur përparimin me të madh drejt
synimeve kombëtare kur forcat politike dhe udhëheqësit janë bashkuar;
6. Zotohet solemnisht për përkrahjen dhe përkushtimin e vet të plotë për arritjen e
shpejtë, të tërësishme dhe të suksesshme të këtij synimi kombëtar, posaçërisht kalimit me kohë të të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për t'i dhëne fund mbikëqyrjes së pavarësisë;

7. Fton Qeverinë e Republikës së Kosovës, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e
partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtaret e Grupit Drejtues
Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, që me prioritet të
përgatisë legjislacionin i cili është i nevojshëm për te kompletuar zbatimin e
Propozimit Gjithëpërfshirës, si dhe të përgatisë të gjitha amendamentet e
nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe t'ia paraqesë këto Kuvendit
jo me vonë se katër javë nga data e kësaj rezolute.
8. Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, autorizon Komisionin e
tashëm ad hoc për Reformën Kushtetuese që të përgatisë amendamentet
kushtetuese për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese si dhe të përgatisë
amendamentet kushtetuese dhe amendamentet legjislative për miratim
përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës.