Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
, 07.02.2012
Komisioni për Legjislacion mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projekt-kodin-penal të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, në të cilin takim mori pjesë zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe
përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, përfaqësues nga Fakulteti Juridik dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Me këtë rast kryetari i komisionit, Arben Gashi tha se interesim i madh për këtë projekt-kod është shfaqur nga mediat, të cilët kanë shfaqur shqetësimin e tyre për dy nene të këtij projekt-kodi, që parashihen sanksione penale për përfaqësuesit e mediave, në rastet kur ata përfshihen në vepra të ndryshme penale. Megjithatë, Gashi sqaroi se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë çështje, për heqjen e nenit 37 dhe 38, do të shqyrtohet nga grupi i punës së këtij komisionit gjatë shqyrtimit të Projekt-kodit penal të Republikës së Kosovës.
"Ne jemi për krijimin e kushteve sa më të mira për mediat, mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shohim se si përfshihet kjo në bazë të standardeve evropiane, apo se si do të mund të koordinohet më mirë në kuadër të këtij kodi, meqë nuk duhet të krijojmë situata nga të cilat pastaj vështirë se mund të dilet. Qëllimi jonë është që të krijojmë kushte sa më të mira të punës për të gjithë, për prokurorinë, gjykatat, shoqërinë civile, mediat..", tha Gashi, duke kritikuar me tej mospjesëmarrjen në këtë dëgjim publik të përfaqësuesve të Shërbimit Korrektues, Shërbimit Sprovues të Kosovës, Këshillit Prokurorial, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Tutje, deputeti Gashi tha se të gjitha vërejtjet që dalin gjatë këtij dëgjimi publik do të trajtohen nga komisioni, në mënyrë që të dalim me një produkt sa më të mirë, i cili do të jetë i më se i zbatueshëm në vend. Po ashtu, ai tha se ka sisteme të përziera të cilat funksionojnë , mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shohim traditën tonë, sepse ne kemi disa probleme sa i përket veprave penale, sidomos trajtimit të krimeve të rënda.
Ai shtoi se nëse bëhet kodi penal funksional do të arrijmë që të parandalojmë vetëgjyqësinë ose hakmarrjen familjare, e cila ka qenë traditë tek ne bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke theksuar se kodi penal kodifikon këto dënime ose vepra penale.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi duke folur në përgjithësi për Projekt-kodin-penal të Republikës së Kosovës theksoi se puna e cila bëhet në komisionin parlamentar për legjislacion është pjesë e orvatjeve tona, në mënyrë që të bëjmë një kod sa më të mirë dhe sa më të zbatueshëm.
Ai tha se qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë që Kodi Penal të jetë modern dhe funksional për vendin, sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa shtoi se deri diku është arritur ky qëllim.
Ministri Kuçi tha se 24 muajt e fundit kanë qenë punë intensive të ministrisë për hartimin e këtij projekt-kodi, duke bashkëpunuar në grupin punues me përfaqësues të MD-së edhe përfaqësues të organizata joqeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe ekspert ligjor nga EULEX-i dhe nga SHBA-të.
Duke përmendur nenet e reja të këtij projekt-kodi siç janë shkalla e dënimit për aktet terroriste, financimit të terrorizmit, mbështetjes për terrorizëm, krimeve ekonomike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ai tha se kanë përcjellë edhe reagimet të cilat kanë ndodhur gjatë draftimit të këtij projekt-kodi për përgjegjësinë penale të kryeredaktorëve dhe botuesve, që ka të bëjë me nenin 37.
Ai sqaroi se neni 37 duhet të hiqet nga Draft-kodi Penal, ku do të garantohet një mundësi më e madhe për punën e gazetarëve, sepse tashme materia e kontestuar në Draft-kodin Penal rregullohet me Ligjin për përgjegjësin penale të personave juridik.
Sa i përket ndëshkimit me burgim të përjetshëm ministri Kuçi tha se kjo është risi për vendin dhe nga burgimi afatgjatë ndryshohet në burgim të përjetshëm. Ndërkaq, ai foli edhe për kapitullin e veçantë që ka të bëjë me veprat penale kundër të drejtës për votim si dhe për veprat penale kundër shërbimeve, me theks të veçantë për vjedhjen dhe mospagesën e ujit, rrymës dhe shërbimeve tjera.
Kuçi theksoi se ky kod penal pretendon të jetë modern dhe t'i përshtatet bazës juridike të Kosovës, ndërsa shtoi se MD-ja është e gatshme të merr pjesë në komisionin parlamentar deri në draftimin final të projekt-kodit.
Gjatë këtij takimi folën edhe Rexhep Murati dhe Rexhep Gashi, përfaqësues të Fakultetit Juridik. U theksua se janë bërë ndryshime të mëdha në shumë fusha, me theks të veçantë në fushën e sistemit të dënimeve, dënimeve alternative, si dhe ka kapituj të posaçëm të veprave penale. Megjithatë, u theksua se ka nevojë që kodi të rishikohet në disa nene dhe të plotësohet.
Besim Kelmendi, prokuror special në Prokurorinë e Shtetit gjatë këtij takimi ngriti disa çështje. Ai tha se neni i propozuar në draft kodin që ka të bëjë me lirimin me kusht, është paraparë që komisioni për lirimin me kusht të formohet nga MD-ja, ndërsa sqaroi se propozim i tij është që ky komision të mos jetë në kompetencë të MD-së, por të jetë kompetencë e Gjykatës Supreme ose Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Gjatë këtij takimi foli edhe kryetari i bordit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti, i cili paraqiti shqetësimin e tij pikërisht për nenin 37 dhe 38 të këtij draft-kodi penal të Republikës së Kosovës. Me theks të veçantë ai foli për mbrojtjen e burimeve, për të cilën theksoi se është e papranueshme për komunitetin e gazetarëve, duke kërkuar që neni 38 të ndryshohet dhe zbulimi i burimeve të kërkohet vetëm në rastet kur ka të bëjë me rrezikim të jetës së njeriut.
Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj, tha se ky kod është modern dhe i përgatitur sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, duke theksuar se duhet të bëhet një kod i cili do të jetë në interes të gjithëve qytetarëve. Edhe Ardian Gjini, projekt-kodin e ri penal e cilësoi si të mirë dhe kjo sipas tij garanton faktin se nuk do të ketë nevojë me vite që të adaptojmë një projekt-kod tjetër. Ndërkaq, anëtarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, kërkoi sqarime shtesë nga ministri i Drejtësisë, veçanërisht për dënimin me burgim të përjetshëm, kapitullit për të drejtat e votimit, thirrjes për rezistencë, ndërsa tha se çështja e amnistisë duhet patjetër te jetë pjesë në këtë kod.