Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 08.02.2012




Në kuadër të angazhimit për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat konform nevojave për persona të verbër dhe pjesërisht të verbër, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Suzan Novobërdaliu, sot organizoi dëgjim publik, ku u debatua lidhur me Projektligjin për persona të verbër dhe pjesërisht të verbër.

Suzan Novobërdaliu, fillimisht vuri në pah faktin se nevoja për Ligjin për të verbrit ka qenë e kahershme. Në vijim, ajo kërkoi nga të pranishmit që të japin kontributin e tyre lidhur me këtë Projektligj ndërsa rekomandimet, vërejtjet dhe sugjerimet që mund të kenë t'i dërgojnë në Komision brenda javës. Në këtë dëgjim publik, në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të të verbërve dhe të shoqatës së personave me aftësi të kufizuara dhe OSBE-së, ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës së të verbërve të Shqipërisë, dr. Sinan Tafaj. Ai me këtë rast foli për përvojat e Shqipërisë lidhur me komunitetin e të verbërve, legjislacionin në fuqi dhe sfidat që aktualisht kanë ata. Sefaj tërhoqi vëmendjen që të evitohen dhe të mos përsëriten mangësitë ligjore të legjislacionit që kanë ata. Sipas Sefajt, esenciale që Projektligji të jetë efikas për këtë kategori është që të fokusohen në aspektin social, e jo material. Projektligji, tha Sefaj, duhet të heqë barrierat që kanë të bëjnë me edukimin, aftësimin dhe shkollimin e kësaj kategorie. Tutje, shtoi ai, Projektligji duhet të sigurojë të drejta të përbashkëta, përshtatjen e ambienteve publike dhe të vendeve të punës.

Në emër të Shoqatës së të verbërve të Kosovës foli Bujar Kadriu, i cili fillimisht falënderoi anëtarët e Komisionit për punën e deri tashme dhe përkushtimin e tyre gjatë amendamentimit të këtij Projektligji. Ai në vijim foli për emërtimin e Projektligjit, për të cilin tha se nuk duhet të quhet për persona te verbër dhe pjesërisht të verbër, por vetëm Projektligji për persona të verbër. Edhe përfaqësuesit e shoqatave tjera, përgëzuan Komisionin për punën e deritashme, ndërkaq u zotuan se vërejtjet dhe rekomandimet që kanë do t'i dërgojnë në afatin e paraparë.

Dëgjim publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...