Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, u takua me ish - komisionerin e Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Reinhold Robbe
, 10.02.2012
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u takuan sot me ish - komisionerin e Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Reinhold Robbe.
Gjatë këtij takimi kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, duke iu dëshiruar mirëseardhje delegacionit gjerman, fillimisht dha detaje lidhur me detyrat e këtij komisioni parlamentar. Ai tha se komisioni të cilin e përfaqëson ai bënë mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë dhe krijon bazën ligjore, gjë e cila mundëson funksionim normal të institucioneve relevante, ndërkaq përmendi edhe ligjet të cilat janë miratuar në Kuvend.
Më tej Isufi foli edhe për situatën e sigurisë në vend. Ai tha se situata në veri të vendit është mjaft brengose, meqë në këtë pjesë ka ndërhyrje nga shteti serb, të cilët pengojnë integrimin e komunitetit serb.
Isufi shtoi se ka angazhime të Qeverisë dhe të institucioneve të vendit në këtë drejtim, duke përmendur edhe ndihmën e shtetit gjerman dhe forcave të KFOR-it, të cilët janë munduar që të garantojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit. Po ashtu, anëtarët e komisionit theksuan se këtë vit në Kosovë bëhet përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe se aktualisht Kosova është në procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për vizitën që anëtarët e komisionit do ta zhvillojnë në Bundestagun Gjerman dhe për mundësinë e një bashkëpunimi me këtë shtet, veçanërisht në fushën e sigurisë. U tha se nga përvojat e shtetit gjerman mund të krijohen mekanizma të cilët mundësojnë efikasitet më të madh në krijimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë.
Komisioneri i Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Reinhold Robbe, gjatë këtij takimi theksoi faktin se është i informuar për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, ndërkaq shpalosi detaje lidhur me detyrat dhe kompetencat e Komisionerit të Mbrojtjes në Bundestagun Gjerman.
Ai tha se Komisioneri i Mbrojtjes është një dorë e zgjatur e parlamentit, kontrollon ushtrinë dhe respektimin e të drejtave themelore të tyre. Duke treguar një sërë funksionesh që kryen komisioneri, gjatë këtij takimi u diskutua edhe rreth funksionimit të Komisionierit të Mbrojtjes në Kosovë. U vlerësua se është e nevojshme të ekzistojë një institucion i tillë në vend.