Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 14.02.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar dhe përkrahur sot tri projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me amendamente të komisionit funksional dhe shtoi edhe dy amendamente të tjera, të cilin ishin në harmoni edhe me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, theksoi se implikimet buxhetore që bart projektligji janë të planifikuara dhe të përfshira në buxhetin e shtetit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së FSK-së, Shkëlzen Syla, dhanë sqarime më të hollësishme për projektligjin.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu projektligjin me amendamente të komisionit funksional, përfshirë edhe dy amendamentet e propozuara.

Në këtë mbledhje u përkrahën edhe Projektligji për deminimin humanitar dhe ai për Komisionin e Pavarur për Media, me raportet me amendamente të komisioneve përkatëse funksionale.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa