Lajmet e fundit

Deklarata për shpalljen të paligjshëm referendumin në veri të Kosovës

, 15.02.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës


Në bazë të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6, paragrafi 1
dhe nenit 49 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës;

Duke ritheksuar se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm;

Duke shprehur mbështetjen për mbrojtjen dhe për realizimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe implementimin në tërësi të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës;

Duke rikonfirmuar përkushtimin dhe vullnetin për integrim institucional dhe shoqëror të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës;

Duke u bazuar në veprimin institucional, brenda rregullave që ofron rendi juridik dhe
kushtetues i Republikës së Kosovës, me propozimin e grupeve parlamentare,

Miraton këtë


D E K L A R A T Ë


1. Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton dhe e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës;

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës e vlerëson këtë referendum cenim të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës;


3. Kuvendi i Republikës së Kosovës konstaton që i ashtuquajturi referendum, i organizuar nga strukturat ilegale, nuk prodhon asnjë efekt juridik, politik dhe si i tillë është i pavlefshëm;

 

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se organizimet e tilla jashtë institucionale dhe ilegale dëmtojnë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim të komunitetit serb në jetën institucionale;

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës inkurajon komunitetin serb të pjesës veriore që sa më shpejt të angazhohet në implementimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës;

6. Institucionet e Republikës së Kosovës konfirmojnë gatishmërinë e tyre për mbrojtjen dhe për respektimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe të drejtat e pakicave.

 

Prishtinë, më 15 shkurt 2012

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës


Dr. Jakup KRASNIQI