Lajmet e fundit
U përurua Aneksi i meremetuar i ndërtesës së Kuvendit
, 16.02.2012
Kryetrari i Kuvendit të Republikës Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët, Xhavit Haliti e Sabri Hamiti, përuroi sot Aneksin e ndërtesës së Kuvendit. Në këtë ceremoni përurimi në të cilën morën pjesë deputetë të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, kreu i Kuvendit, pasi preu shiritin inaugurues bashkë me kryetaren e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija, tha:" Sot patëm kënaqësinë që në prag të 17 shkurtit 2012 ta përurojmë dhe të hapim një pjesë të Aneksit të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës". Tutje, kreu i Kuvendit përkujtoi se para 10 viteve, (në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës), kjo shtëpi ishte e të gjitha institucioneve, vendore e ndërkombëtare. Duke folur për ndikimin e këtij Aneksi në punën e Kuvendit, Krasniqi tha:"Vit pas viti është zgjeruar hapësira e deputetëve, është zgjeruar hapësira e shtëpisë së qytetarëve të Kosovës, e përfaqësueseve të qytetarëve të Kosovës. Sot po e përurojmë këtë pjesë për të krijuar hapësira të reja pune për deputetët e Republikës së Kosovës, për nënkryetarët e Kuvendit dhe grupet parlamentare".
Shuma e mjeteve të zotuar për meremetimin e këtij Aneksi me sipërfaqen prej 1700 metrave katrorë ka qenë 500 mijë euro, nga të cilat 486 mijë janë shpenzuar për kompensimin e punëkryesit, përkatësisht, kompaninë " 100 % Desing".