Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 20.02.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar disa raporte dhe rekomandime të komisioneve parlamentare, duke e përcaktuar edhe mbledhjen plenare të Kuvendit më 1 mars të këtij viti, në të cilën do të shqyrtohen: Rekomandimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe peticione për debat parlamentar lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës, Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për miratimin e Statutit të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës. Duke qenë të bindur se deri në mbledhjen e Kryesisë, në javën e ardhshme, do t'i plotësojnë kushtet për procedim në Kuvend edhe disa projektligje, anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që rendi i ditës për seancën e 14 marsit të plotësohet në mbledhjen e ardhshme të saj.

Pasi e ka shqyrtuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri të përgatisë për Kuvend raportin me rekomandime. Propozim-vendimin e ekzekutivit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të Agjencisë së Pronës, ndërkaq, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Legjislacion që të përgatisë raportin me rekomandime për këtë çështje.

Lidhur me kërkesën e Bordit menaxhus të RTK-së për kompensim të shpenzimeve të Auditimit të Performancës së RTK-së, të cilën do ta bënte një kompani e licencuar ndërkombëtare, Kryesia ka vendosur të presë rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit