Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
, 24.02.2012
Projektligji për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror, u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit e dëgjimit publik të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Zenun Pajaziti.
Duke folur për rëndësinë e këtij Projektligji, kryesuesja e grupit punues, Sala Berisha-Shala tha se Kosova do të përmbushë edhe një nga rekomandimet e Këshillit të Evropës (KE), ndërkaq, dëgjimi publik palëve të interesuara u jep mundësi për të dhënë rekomandimet lidhur me të.
Drejtori i Departamentit Ligjor i Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, njoftoi se në draftimin e këtij Projektligji kanë marrë pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të fushës përkatëse. Ai, po ashtu tha se Projektligji rregullon çështjen e sigurisë së komunikacionit ajror, dhe është në funksion të ristrukturimit të mëtejmë të aviacionit civil në Kosovë. Në favor të këtij Projektligji u shpreh edhe përfaqësuesi i KFOR-it, Leonid Keyserlingk, i cili lavdëroi punën e deritashme nga ekspertët e kësaj fushe. Lidhur me këtë, ai u shpreh:" Fusha e aviacionit civil, është shembull i kapaciteteve profesionale që ka Kosova", dhe shtoi se me Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror, Kosova merr përgjegjësi të plotë për çështje të aviacionit. Përfaqësuesi i KFOR-it, njoftoi se rekomandimet nga ana e tyre i janë dërguar me shkrim grupit punues për amendamentimin e Projektligjit. Edhe përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës, Bekim Jashari e Bahri Nuredini, vlerësuan se Projektligji përmbush nevojat e shërbimeve më cilësore të aviacionit civil në Kosovë. Përfaqësuesit e Aeroportit me këtë rast ngritën edhe disa çështje, që sipas tyre, nuk janë trajtuar në Projektligj, por shprehën besimin se rekomandimet e tyre do të merren parasysh gjatë fazës së amendamentimit.
Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, Kreshnik Gashi e Burim Ejupi nga INDP-ja, vlerësuan se Projektligji ka referencat e duhura në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe plotëson standardet dhe praktikat e vendeve të zhvilluara.
Në fund të debatit, kryesuesja Sala- Berisha, i siguroi të pranishmit se vërejtjet dhe rekomandimet e paraqitura do të inkorporohen në Projektligj, dhe i ftoi ata që të jenë aktivë edhe më tutje gjatë fazës së amendamentimit të Projektligjit.