Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

, 24.02.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtuan dhe u miratuan dy raporte përfundimtare të komisionit: Raporti për Projektligjin nr. 04/L-84 për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe raporti për Projektligjin nr. 04/L-89 për Deminim humanitar.

Në vijim u shqyrtua edhe Ligji për Policinë, pas vendimit të Presidentes për rishqyrtimin e këtij ligji në komision, që në elemente të caktuara të vazhdojë të ndryshojë disa amendamente, të cilat janë konsideruar se nuk janë në përputhje me zhvillimin ose funksionimin e Policisë së Kosovës.

Me këtë rast anëtarët e komisionit përkrahën amendamentet e ndryshuara nga grupi i punës së komisionit dhe Ligji për Policinë procedohet në seancë plenare.

Tutje, kryetari i komisionit, Isufi, njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me memorandum-bashkëpunimin mes Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me ç‘rast theksoi se janë marrë parasysh propozimet e komisionit dhe janë bërë ndryshime korrekte në këtë memorandum.

Krejtësisht në fund, kryetari i komisionit, njoftoi anëtarët e komisionit edhe lidhur me takimin që ai ka pasur me kryetarin e Këshillit Kombëtar, Galip Beqiri, si dhe me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Isufi theksoi se gjatë këtij takimi mysafirët janë njoftuar lidhur me funksionimin e komisionit parlamentar, si dhe për çështjen aktuale të sigurisë.

Ndërkaq, sqaroi se u diskutua edhe për marrëveshjen për lëvizje të lirë të qytetarëve, lidhur me policat e sigurimit për qytetarët e Luginës së Preshevës. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës duhet t'i mbështesë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, në mënyrë që pozita e tyre të jetë siç duhet.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së