Lajmet e fundit
Tryezë e Grupit të Grave Deputete
, 24.02.2012
Mënyra se si portretizohen gratë në media është një nga problemet më të cilat përballet sot shoqëria në Kosovë. Për të trajtuar këtë çështje , sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, u mbajt një tryezë, ku morën pjesë deputetë, drejtues të mediave, përfaqësues të shoqërisë civile, të zyrave diplomatike, të Komisionit Evropian etj. Anëtarja e Bordit të GGD-së, e cila udhëhoqi këtë tryezë, deputetja Alma Lama me këtë rast tha : "Ne, Grupi i Grave Deputete e kemi zgjedhur këtë temë, sepse është pikërisht media ajo që pasqyron dhe formëson mendimin e opinionit publik, ajo që ndërton apo shemb paragjykimet, varësisht nga roli që luan, që fabrikon apo shkatërron stereotipet negative. Fuqinë e medias e njohim të gjithë, media është mesazhi dhe lajmëtari. Impakti i saj është në politikë, debatin kombëtar, por mbi të gjitha në jetën dhe emocionet e njerëzve që e konsumojnë atë."
Në vijim kryetarja e GGD-ës znj. Teuta Sahatqija theksoi: "Jemi një shoqëri që ende s'kemi arritur t' i krijojmë mundësi të barabarta edhe gruas, ndaj na duhet mbështetja e medias. Fatkeqësisht kjo nganjëherë po lë përshtypjen se gratë qenkan një problem i shoqërisë që duhet zgjidhur. Prandaj unë jam më tepër për një qasje të mediave për të promovuar punën normale të gruas, e ajo është se gruaja mund të flasë dhe punojë në punët e rëndësishme të shoqërisë, si: energjetikë, siguri, ekonomi, drejtësi, politikë të jashtme dhe të brendshme, bujqësi, transport, shëndetësi, arsim, kulturë, sport dhe në familje. Në tryezë kontribuuan me kumtesat e tyre edhe Afërdita Saraqini, z.Bekim Kupina, Luljeta Vuniqi, Naile Krasniqi etj. Anamari Repic tha se në debatet televizive, përfshirë edhe RTK-në, mungojnë gratë. Ajo premtoi se pas kësaj tryeze do te merren hapa urgjentë për përmirësimin e gjendjes në transmetuesin publik. Afërdita Saraqini tha se pa barazi gjinore nuk ka agjendë evropiane dhe se TV-21 tashmë do të zhvillojë debate të përjavshme, në të cilat të ftuarat kryesore do të jenë gratë, në mënyrë që t'u jepet mundësia të japin opinionin e tyre.
Debati synoi të evidentojë disa nga problemet themelore të portretizimit të gruas në media, si: hapësira që zënë gratë në media dhe përmbajtja e këtyre prezantimeve. Në Kosovë ka pasur edhe raste të krijimit të sterotipeve negative nga ana e medias, ku puna e grave është paraqitur me tone tallëse ose përqeshëse, u tha gjatë debatit.
Nga tryeza dolën disa konkluzione, si:
Faktet sugjerojnë se mediat në Kosovë i ndajnë politikanët si politikane gra që janë më të dobëta se politikanët meshkuj;
Mediat shkruajnë më pak për gratë se burrat në gjitha fushat profesionale;
Mediat janë më pak të hapura për arritjet e grave se të kolegëve të tyre burra;
Nëse media i merr seriozisht shqetësimet e grave; kjo do t'i ndihmonte gratë politikane të zhvillonin vetëbesimin.
Në këtë tryezë u nxorën këto rekomandime: gratë profesioniste kanë nevojë të përforcojnë mesazhin e tyre në media, por nga ana tjetër mediat duhet të kuptojnë se integriteti i grave në politikë e forcon demokracinë. Po kështu rekomandohet fuqizimi i grave gazetare nëpër redaksi;trajnimi i gazetarëve që të jenë më të ndjeshëm në apeksin gjinor; krijimi i alternativave mediatike, që të dëgjohet më shumë zëri i grave; ndërtimi i balancimit gjinor në institucionet mediatike, si dhe në përmbajtjen editoriale, si dhe respektimi i Ligjit për Barazi Gjinore në skemat programore të mediave të shkruara dhe atyre elektronike.