Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 27.02.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka ngarkuar një grup punues për shqyrtimin e kërkesës së Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për mbulimin e shpenzimeve të Auditimit të performancës së RTK-së.
Kërkesa u prezantua në mbledhjen e sotme nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Sulejman Shaqiri, e cili tha se ajo ka dalë si rezultat i një takimi në RTK, më 16 shkurt 2012, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të disa institucioneve vendore e ndërkombëtare, e në të cilin është diskutuar për një varg çështjesh që lidhen me RTK-në.
Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, bëri të ditur se kërkesa i është adresuar Kryesisë së Kuvendit, ndërsa kjo e fundit e ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa që ta shqyrtojë atë dhe të paraqesë raportin me rekomandime.
Gjatë diskutimit në komision u shtruan ide të ndryshme për këtë çështje, ndërsa u dakordua që të aktivizohet grupi punues i cili është marrë me Ligjin për transmetimin publik dhe komisionit t'ia paraqes rekomandimet e mundshme.
Në këtë mbledhje, ndërkaq, u përkrahën dy projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligji për bibliotekat në Republikën e Kosovës dhe ai për shërbimet e shoqërisë informatike.