Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 27.02.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 1 marsit, 2012.

Seanca do të fillojë me shterimin e dy pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare. Në vazhdim do të ketë debat parlamentar lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës.

Deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, Projektligjin nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Projektligjin nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë.

Gjatë kësaj seance do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, si dhe Propozim- Statuti i Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës. Deputetët, ndërkaq, do të njoftohen me Rekomandimin e Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, lidhur me mocionin procedural të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilit pretendohet se në seancën e jashtëzakonshme të 31 janarit 2012 është shkelur Rregullorja e Kuvendit.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka ngritur nevojën e mbajtjes së një seance të Kuvendit për të debatuar për marrëveshjen lidhur me emërtimin e Kosovës (me fusnotë) në nismat rajonale. Në kërkesën gojore, për mungesë të nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve, ai ka pohuar se kjo lëvizje ka mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve për thirrjen e kësaj seance.

Kryparlamentari Krasniqi ka theksuar se sipas Kushtetutës së Kosovës seanca të jashtëzakonshme i thërret: Presidenti, Kryeministri ose 40 deputetë. Ndërkaq, ai ka shtuar se 10 mijë nënshkrime të qytetarëve vlejnë për nisma legjislative, por jo për seancë të Kuvendit. Në këto rregulla janë thirrur edhe përfaqësues të grupeve të tjerra parlamentare, megjithëse, nga të pranishmit në këtë mbledhje, ka pasur edhe zëra se çështja e denominimit të Kosovës është çështje me konsekuenca politike përtej mandatit të një qeverie, e duke kërkuar që Kuvendi të sillet në lartësinë që ia përcakton Kushtetuta e vendit. Në takimin e sotëm është mbajtur qëndrim që Kuvendi duhet të njihet me tekstin origjinal të marrëveshjes së Brukselit dhe se Kryeministri i Kosovës, konform të një rezolute të mëhershme të Kuvendit për bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet ta njoftojë legjislativin për rezultatin e këtyre bisedimeve.

Kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e pagave për zëvendësit e Avokatit të Popullit, Kryesia ia ka deleguar Komisioni për Buxhet dhe Financa, duke e ngarkuar atë që për Kuvendin të përgatisë raportin me rekomandime.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit