Lajmet e fundit

Nga vizita e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Çeki

, 01.03.2012




Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, po qëndron në një vizitë tre ditore në Republikën e Çekisë. Gjatë kësaj vizite, ndër të tjera, delegacioni i Kosovës u prit nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të Parlamentit të Çekisë, të drejtuar nga nënkryetari Vladislav Vilimec.

Gjatë takimit u diskutua për progresin që ka arritur Kosova në vitet e fundit, dhe mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërparlamentar në të ardhmen. Gjatë takimit znj,Hadergjonaj theksoi: "Republika e Çekisë, është ndër vendet e para të BE-së që ka njohur shtetin e Kosovës dhe ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar gjatë këtyre viteve. Më duhet të theksoj veçanërisht bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, dhe të vlerësoj se ne mund të përfitojmë shumë nga përvoja dhe praktikat e mira të Parlamentit çek"

Një takim tjetër i veçantë u zhvillua edhe mes sekretarit të përgjithshëm të Parlamentit të Çekisë, Petër Kynstetr dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Gjatë takimit, z. Kynstetr shprehu gatishmërinë për të formalizuar bashkëpunimin bilateral me Kuvendin e Kosovës dhe për të ofruar asistencë veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të administratës së Kuvendit.

Gjatë qëndrimit në Republikën Çeke, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u njoh nga afër me organizimin dhe funksionimin e njësisë për hulumtime legjislative, organizimin e punës në komisionet parlamentare dhe procesin e shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit.

Ky program studimor është mundësuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), si pjesë e programit rajonal parlamentar, që synon të nxisë bashkëpunimin në mes të parlamenteve të shteteve të rajonit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira, me shtetet e Bashkimit Evropian.

 

Nga vizita e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Çeki