Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

, 02.03.2012




Kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit të Kosovës, deputetët vazhduan sot me mbledhjen e rregullt plenare. Në këtë mbledhje, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti, deputetët shqyrtuan për herë të dytë dy projektligje dhe disa raporte të Komisioneve.

Fillimisht, zv. kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, propozoi që Projektligji për Transmetuesin Publik në Kosovë (i cili ishte paraparë të shqyrtohet në këtë mbledhje), të shqyrtohet në mbledhjen e radhës. Këtë propozim, zv. kryeministrit Petroviç, e paraqiti në bazë të një marrëveshje paraprake, për siç tha ai:"Në mes të Qeverisë si sponsorizuese e Ligjit, me shefat e grupeve parlamentare". Propozimit të zv. kryeministrit Petroviç, deputetët i'u përgjigjën pozitivisht.

Në vijim, deputetët miratuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, amendamentet e të cilit para deputetëve i paraqiti kryetari i Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fikrim Damka. Po ashtu, deputetët miratuan edhe Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, lidhur me vërejtjet e Presidentes së vendit për këtë Projektligj. Kryetari i këtij Komisioni Ahmet Isufi, njoftoi se lidhur me vërejtjet e Presidentes, Komisioni ka formuluar amendamentet (pesë sosh). Amendamentet e paraqitura, u përkrahën unanimisht nga deputetët.

Pas shqyrtimit të projektligjeve, deputetët miratuan Raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Po ashtu, në këtë mbledhje deputetët unanimisht përkrahën edhe Propozim- Statutin e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës. Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti tha se të gjitha pikat e këtij Propozim- Statuti, janë në harmoni me ligjet në fuqi. Në fund të mbledhjes së sotme, kryesuesi i mbledhjes, Hamiti, i njoftoi deputetët me vlerësimin e Nënkomisionit për mandate, imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, lidhur me Mocionin procedural të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Mocioni i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, i referohet punimeve të mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 31 janar 2012. Vlerësimi i Nënkomisionit për mandate, imunitete dhe Rregullore të Kuvendit për këtë mocion, për të cilin deputetë u njoftuan në mbledhjen e sotme ishte: në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 31 janar 2012, nuk ka pasur shkelje procedurale.

 

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit