Lajmet e fundit

GGD-ja takon partnerët për blerjen e Mamografit mobil

, 05.03.2012




Me iniciativën e Grupit të Grave Deputete, sot u mbajt një takim i përbashkët me përfaqësues nga Presidenca, ministri i Shëndetësisë, z. Ferid Agani, UNDP, OSBE, NDI, OBSH (WHO).

Kryetarja e GGD-ës znj. Teuta Sahatqija tha se Grupi i Grave Deputete duke parë se në vend është vërejtur mungesa a vetëdijes sa i përket kërcënimit nga kanceri në mitër dhe ai i gjirit, si dhe nevoja për një kontroll të rregullt, është zotuar që të implementojë një projekt, i cili ka për qëllim kryesor blerjen e një mamografi mobil, i cili do të gjejë përdorim në të gjithë territorin e Kosovës. Në këtë projekt GGD-ja angazhohet në dy drejtime : takime me gra me qëllim të përfshirjes së atyre me ndikim në komuna, si dhe në aspektin e vetëdijesimit të grave në tërë vendin për rëndësinë e testimit me kohë të kësaj sëmundjeje. Po kështu, GGD-ja zhvillon aktivitete me institucione dhe organizata vendore dhe të jashtme me qëllim të blerjes së mamografit mobil.

Takimi ishte organizuar me qëllim që të ftuarit të jenë partnerë të GGD-ës në realizimin e këtij projekti. Projekti pritet të përfundojë deri në fund të qershorit, ndërsa do ta menaxhojë, anëtarja e Bordit të GGD-ës, znj. Donika Kada Bujupi.

Ministri Ferid Agani tha se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e këtij projekti, ndërsa me qëllim të koordinimit sa më të mirë do të caktojë një përfaqësuese nga Bordi për Sëmundjet Malinje.

Këshilltarja e presidentes, znj Ariana Qosja Mustafa, theksoi se presidentja është e përkushtuar ta përkrahë këtë iniciativë kaq të dobishme, jo vetëm për gruan, por edhe për familjen kosovare.

Përkrahje premtoi edhe përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë OBSH(WHO), z. Sami Uka. Marie Berisha nga OSBE tha se do të mbështetet projekti sa i përket fushatës mediatike: (spotit, broshurës etj). Në takim përkrahje premtuan edhe përfaqësuesit nga UNDP dhe NDI.

Me këtë rast u vendos që në takimin e ardhshëm të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit, në mënyrë që ky projekt të përfundohet në kohën e planifikuar.

 

 

GGD-ja   takon partnerët për blerjen e Mamografit  mobil