Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 05.03.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në mbështetje të kërkesës së Grupit të Grave Deputete për një seancë plenare vendosi që kjo mbledhje të mbahet më 9 mars. Ndërkaq, në vijim përcaktoi rendin e ditës së mbledhjes së rregullt plenare orientimisht për 15 mars. Në këtë mbledhje plenare, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për komunikimet elektronike, ndërsa për herë të dytë Projektligjin për deminimin humanitar dhe Projektligjin për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, në vijim do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Përkitazi me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për debat parlamentar lidhur me marrëveshjen për përfaqësim rajonal të Republikës së Kosovës, në mbledhje u tha se në fakt, fjala është për Peticionin e 15 mijë qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë çështje, që e ka sjellë Lëvizja Vetëvendosje, kërkesë kjo që do t' i dorëzohet komisionit përkatës parlamentar për shqyrtim. Në vijim , Kryesia mori në dijeni njoftimin e Grupit Parlamentar 6+, për ndërrimin e kryetarit të këtij grupi parlamentar me rrotacion sipas marrëveshjes, përkatësisht në vend të deputetes Duda Bale do të jetë Albert Kinolli, si dhe njoftimin e Komisionit për Legjislacion për caktimin e deputetit Halit Krasniqi anëtar në Komisionin Qeveritar për njohjen e statusit të ish- të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Në kuadër të kërkesave të shtruara, Kryesia lejoi udhëtimin zyrtar të grupit të deputeteve, nga një nga secili grup parlamentar, më 8 mars në Shqipëri, sipas ftesës së kryeparlamentares Jozefina Topalli.

Në këtë mbledhje Kryesia shqyrtoi edhe kërkesën e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës lidhur me informimin për ndryshimet e Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast u tha se Kuvendi është angazhuar dhe angazhohet për krijimin e kushteve sa më të mira për gazetarë, fotoreporterë dhe xhirues. Në këtë kontekst, u tha se janë krijuar kushte për punë sipas standardeve më të larta, por për këtë çështje, kryekuvendari Krasniqi, edhe në konferencë shtypi, premtoi se do të bisedohet me përfaqësuesit e Asociaicionit të Gazetarëve.

 

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit