Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 07.03.2012




Vështirësi të shumta e përcjellin implementimin e Ligjit kundër diskriminimit. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e kryetares së Komisionit, Suzan Novobërdali, e cila fillimisht i njoftoi të pranishmit se qëllimi i këtij takimi, është që të identifikojmë të metat e Ligjit. Identifikimin e ngecjeve në zbatimin e Ligjit duhet ta bëjmë së bashku, OJQ-të, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Zyra për Qeverisje të Mirë, në mënyrë që të formulohen rekomandimet për një Raport përfundimtarë lidhur me zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit, tha Novobërdali në hapje të debatit.

Në vijim, për implementimin e këtij Ligji foli përfaqësuesi i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habid Hajredini. Ai, në mënyrë kronologjike njoftoi për ecurinë e punës së Zyrës që përfaqësonte, duke vënë në pah vështirësitë që e kanë përcjellurë atë që nga hyrja në fuqi e Ligjit në vitin 2004. Që Ligji të gjejë zbatim sa më të gjerë, vijoi ai, në vazhdimësi janë organizuar fushata të vetëdijesimit të qytetarëve. Lidhur me këtë, Hajredini përmendi botimet e Zyrës për Qeverisje të Mirë fletëpalosje, posterë dhe organizim të spoteve televizive. Në vijim, ai po ashtu njoftoi se në vitin 2005, kjo Zyrë ka hartuar Strategjinë Nacionale për zbatimin e këtij Ligji, Strategji kjo e cila vijon së zbatuari ende. Në kuadër të kësaj Strategjie, Hajredini tha se janë paraparë masat e parandalimit të diskriminimit dhe vetëdijesimi i qytetarëve. Për Ligjin, në vijim foli përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Merita Syla. Sipas saj, ndër sfidat më të mëdha për zbatim të Ligjit paraqesin nenet shtatë dhe nëntë, të cilat nuk përcaktojnë qartë organin gjyqësorë që do duhej të shqyrtojë ankesat e të diskriminuarëve. Po ashtu, sipas neneve të Ligjit, nuk sanksionohet saktë masa e shqiptimit të dënimit.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve Mexhid Foniqi, shprehu mendimin se ky Ligj nuk gjen zbatim, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin e të verbërve rreth punësimit të tyre. Komuniteti i të verbërve, tha ai, ka më se 20 veta që posedojnë diplomë fakulteti, dhe në secilin rast të konkurrimit të tyre për një vend pune, ata mbeten të diskriminuar.

Në këtë dëgjim publik, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit për Kmunitete dhe Kthim, Goran Marinkoviç, i cili shprehu gatishmërinë që në grupin punues për mbikëqyrjen e Ligjit të jenë edhe përfaqësuesit e Komisionit që ai udhëheq.

Kritikë ndaj zbatimit të Ligjit, u shprehën edhe përfaqësuesit e Iniciativës së të Rinjve. Përfaqësuesja e kësaj Iniciative, Natyra Avdiu, njoftoi se të rinjtë e kësaj Iniciative kanë hartuar një Raport mbi të gjeturat rreth moszbatimit të Ligjit. Në këtë Raport, tha ajo, kemi hartuar 20 rekomandime për ekzekutivin. Në debatin rreth kësaj teme u angazhuan edhe Rita Hajzeraj, Duda Balje dhe Anxhelka Çup, nga Qendra Mediale në Çagllavicë.

Në fund të debatit të pranishmit konstatuan se ky Ligj nuk po gjen zbatim të mjaftueshëm, ndërkaq, gjatë periudhës së ardhshme duhet analizuar mundësinë e amendamentimit të tij.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...