Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme... priti ministrin e brendshëm të Shqipërisë, z. Bujar Nishani
, 10.03.2012
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani dhe delegacionin që e shoqëronte.
Gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive përkatëse dhe rezultateve të këtij bashkëpunimi.
Kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, fillimisht bëri një përshkrim të punës së komisionit dhe angazhimeve të tij në kryerjen e detyrave të përcaktuara legjislative. Ai u ndal, gjithashtu, edhe në problemet në veri të vendit dhe ndërhyrjet e Serbisë atje.
Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet ministrive të të dy vendeve tona, kryetari i komisionit e çmoi lart atë, duke veçuar, posaçërisht bashkëpunimin ndërkufitar.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Rexhep Selimi e Fatmir Xhelili, potencuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe shtruan nevojën për krijimin e lehtësirave të tjera për kalim të kufirit.
Ministri Nishani falënderoi forcat politike në Kuvend për mbështetjen që i kanë dhënë të gjithë aktivitetit të të dy ministrive përkatëse për Punë të Brendshme, në funksion të luftës ndaj kriminalitetit, të vendosjes së sigurisë, të rendit e të paqes. Ai tha se modeli i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është modeli më i mirë i bashkëpunimit në të gjithë rajonin.
Duke u ndalur në bashkëpunimin kufitar, Nishani shtroi idenë e hapjes së të gjitha pikave kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si lehtësi për kalimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit.