Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
, 12.03.2012
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK) për vitin 2011. Përfaqësuesi i AKK-së, Ahmet Krasniqi, foli në hollësi për Raportin, punën e deritashme, sfidat dhe sukseset që e kanë përcjellë AKK-në. Ai fillimisht tha se Raporti kontribuon në promovimin e mëtejmë të konkurrencës në Republikën e Kosovës, si një mjet efektiv i zhvillimit ekonomik, duke siguruar kushte të barabarta për hyrje në treg të të gjitha bizneseve. Në vijim, përfaqësuesi i AKK-së bëri një vështrim të përgjithshëm mbi AKK-në. AKK-ja, vijoi Krasniqi, ka nisur vitin e tretë të punës së tij, duke u bazuar në eksperiencën e fituar në ushtrimin e veprimtarisë së vet. Pasi foli për objektivat e AKK-së në të ardhmen, Krasniqi në vijim foli edhe për fushat në të cilat ka qenë e fokusuar AKK-ja. Me këtë rast ai vuri në pah aktivitetet më të rëndësishme të vitit paraprak. Me këtë rast, ai përmendi vendimin e AKK-së, lidhur me policat e sigurimit nga autopërgjegjësia (TPL), rekomandimin për arka fiskale, rekomandimin për qendrat e kontrollimeve teknike të automjeteve, rekomandimin për tregun e shitjes së naftës dhe derivateve të saja dhe analizat e sektorit të bankave komerciale. Gjatë shqyrtimit të këtij Raporti, u angazhuan anëtarët e Komisionit të cilët shtruan një varg pyetjesh. Interesimit të tyre iu përgjigj Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Pas një debati të gjerë, anëtarët e Komisionit vlerësuan se Raporti në mënyrë reale pasqyron punën e AKK-së, dhe unanimisht e miratuan atë për shqyrtim të mëtutjeshëm sipas Rregullores së Punës së Kuvendit.