Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

, 14.03.2012




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, sot mbajti dëgjim publik lidhur me zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në këtë dëgjim publik, në të cilin morën pjesë përfaqësues të bankave vendore e ndërkombëtare, përfaqësues nga kompanitë e sigurimeve dhe komuniteti i biznesit, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e KDI-së dhe të Odës Ekonomike Amerikane.

Gjatë debatit të cilin e kryesoi, Lutfi Zharku, fillimisht u fol për rëndësinë që ka Ligji dhe zbatimi i tij. Lidhur me këtë Zharku tha se grupi punues ka paraparë takime, dëgjime publike dhe vizita në teren, për të parë nga afër se cila është gjendja reale e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Komisioni, vijoi, Zharku, vlerëson se vërejtjet dhe propozimet e juaja do të jenë të dobishme për punën e Komisionit lidhur me monitorimin dhe zbatimin e Ligjit.

Përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve "SIGKOS" Ibrahim Kastrati, vlerësoi se Ligji për mbrojtjen e konkurrencës është duke gjetur zbatim të kënaqshëm, por, sipas tij është e nevojshme që neni katër i ligjit të amendamentohet në konsultim edhe me Bankën Qendrore të Kosovës. Vërejtje në zbatimin e Ligjit paraqiti edhe Fatbardh Makolli, nga kompania e sigurimeve "SIGURIA". Ai vlerësoi se në nenin 37 të Ligjit mungon parimi i dyshkallësisë së gjykatave në shqyrtimin e lëndës në procedurë administrative.

Duke folur për zbatimin e këtij Ligji, përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi se për zbatimin e tij sa më të kënaqshëm duhet rritur kapacitetet e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK). Zeka me këtë rast, po ashtu vlerësoi se gjatë licencimit të kompanive për pajisje me arka fiskale, ka pasur devijime ligjore sidomos për sa i përket çmimit shumë të lartë të tyre.

Në favor të rritjes së kapaciteteve të AKK-së, u shpreh edhe përfaqësuesja e KDI-së, Merita Mustafa, e cila po ashtu njoftoi se KDI-ja në shtatorin e vitit të kaluar ka bërë një Raport lidhur me zbatimin e Ligjit, dhe rekomandimet lidhur me të i janë dërguar Komisionit. Me këto konstatime u pajtuan të gjithë të pranishmit e këtij debati, të cilët vlerësuan se Ligji për mbrojtjen e konkurrencës duhet të jetë kompatibil me ligjet e rajonit.

Në fund të debatit, kryesuesi i këtij debati, Zharku, i luti të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet lidhur me zbatimin e këtij Ligji t'i dërgojnë me shkrim. Ai po ashtu i siguroi ata për bashkëpunim të ngushtë edhe në të ardhmen në interes të të gjitha palëve që kanë të bëjnë me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...