Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 15.03.2012
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Në përfundim të kësaj pike, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke folur rreth çështjes pretendimit të Serbisë për të organizuar zgjedhje edhe brenda territorit të Kosovës, si dhe shqetësimeve që u ngritën përkitazi me këtë çështje edhe në këtë mbledhje, tha se Kosova ka qëndrim unik edhe sa i përket pretendimit serb për organizim të zgjedhjeve në Kosovë. Republika e Kosovës, theksoi ai, nuk do të lejojë që asnjë shtet fqinj, apo të ashtuquajtur përfaqësues të tij që të organizojnë zgjedhje të çfarëdo lloji në territorin e Republikës së Kosovës. Ky është qëndrim unik i Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe vullnet i gjithë qytetarëve dhe partive politike. Ndërkaq, sa i përket ideve apo zërave për ndonjë dialog për veriun e Kosovës, z. Hashim Thaçi tha:"E them shumë qartë, dialog i tillë nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe as që do të ndodhë, por takime, kontakte, dialog i brendshëm me qytetarë-shtetas të Kosovës për të dëgjuar hallet e tyre dhe për t' u integruar në institucionet e Kosovës do të ketë, por në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim me Serbinë. Përkitazi me pretendimet për ndonjë autonomi, ose status special të veriut të Kosovës, z. Thaçi tha se ato nuk janë të vërteta dhe nuk do të ndodhin. Në vijim të fjalës së tij kryeministri Thaçi foli edhe rreth pretendimeve për ndryshimin e kufijve. Lidhur me këtë ai u shpreh :"Po e bëj të qartë mesazhin, në emër të Qeverisë së Kosovës , të të gjithë miqve ndërkombëtarë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve, se me pretendime të tilla të ndryshimit të kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në shtet të vetëm".
Mbledhja pastaj vazhdoi me pyetjet e deputetëve, në të cilat u përgjigjën ministrat: Edita Tahiri, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi. Pas përgjigjes së ministres Edita Tahiri, pasoi një replikë nga kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së , Ismet Beqiri. Pas kundërpërgjigjes së z. Tahiri, fjalën e kërkoi sërish Ismet Beqiri, por kryesuesi i mbledhjes z. Haliti nuk ia dha fjalën, duke e mbështetur këtë në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Në vijim Ismet Beqiri, sërish e kërkoi fjalën duke propozuar 15 minuta pushim. Kjo edhe u bë. Duke marrë fjalën, në vijim të mbledhjes,z. Beqiri tha se znj. Tahiri ka fyer deputetet e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe elektoratin e saj, prandaj e ka kërkuar fjalën në emër të GP-së . Nënkryetari Haliti tha se në këtë çështje ka zbatuar Rregulloren e Kuvendit.
Në vazhdim të mbledhjes fjalën e mori Adem Grabovci, kryetar i GP të Partisë Demokratike, i cili propozoi, në emër të grupeve parlamentare, pikë të re të rëndit të ditës, përkatësisht një Deklaratë rreth vendimit të Serbisë për të mbajtur zgjedhje edhe në Kosovë. Ai në vijim e lexoi edhe tekstin e Deklaratës lidhur me pretendimet e Serbisë për të organizuar zgjedhje në Kosovë. Gjatë debatit: Sabri Hamiti, Visar Ymeri, Muhamet Mustafa, Halit Krasniqi, Alma Lama dhe Vjosa Osmani paraqitën disa propozime për plotësim të tekstit të Deklaratës. Diskutuesit e Lëvizjes Vetëvendosje shprehën pakënaqësinë e tyre pse grupi i tyre parlamentar nuk ishte konsultuar si grupet tjera rreth kësaj pike të rendit të ditës. Pas harmonizimit të propozimeve rreth tekstit u aprovua Deklarata.
Në vijim deputetët shqyrtuan për herë të parë Projektligjin për komunikimet elektronike, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Pas debatit të gjerë deputetët miratuan në parim këtë Projektligj.
Kuvendi në vazhdim shqyrtoi për herë të dytë tri projektligje, përkatësisht: Projektligjin për deminimin humanitar, Projektligjin për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për shërbimet e shoqërisë informatike, të cilat pas debatit u aprovuan. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë, u shty për një mbledhje tjetër, ndërkaq në mungesë të kuorumit u ndërpre debati për Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.