Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 19.03.2012
Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi, shqyrtoi dhe përkrahu raportin vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011, pas prezantimit të raportit nga ana e drejtorit të IGJK-së, Lavdim Krasniqit, lidhur me të arriturat dhe aktivitetet kryesore që ka zhvilluar IGJK-ja gjatë vitit 2011.
Anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe propozim- amendamentet e grupit të punës për Projekt-kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast anëtarët e komisionit duke përkrahur amendamentet e grupit të punës dhe ligjin në tërësi, përkrahën edhe propozimin e anëtarit të komisionit, deputetit Arsim Bajrami, që pjesë e kodit të jetë tradhtia ndaj vendit, si vepër penale. Ndërkaq, u vendos që të hiqet neni 37 i këtij projekt-kodi që ka të bëjë me punën e gazetarëve, si dhe në nenin 38 të fshihet paragrafi. 2.2.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit nuk përkrahën raportin me amendamente të komisionit funksional të Projektligjit nr. 04/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222, meqë siç u theksua është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, andaj ky raport i kthehet komisionit funksional.
Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën dy raporte me amendamente të komisioneve funksionale, atë të Projektligjit nr. 04/L-098 për Themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror, si dhe të Projektligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës.
Komisioni u dakordua që të hiqet nga rendi i ditës raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-105 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-168 për Turizmin dhe shërbimet turistike, sipas kërkesës së sponzoruesit.
Tutje, anëtarët e komisionit vendosën që Strategjia dhe plani i veprimit kundër korrupsionit, për vitin 2012-2016, të mos shqyrtohet në mbledhjen e sotme.
Meqë votat ishin të barabarta në mbledhjen e kaluar dhe bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, kjo pikë e rendit të ditës nuk u miratua.
Pa mbështetjen e komisionit, shqyrtimi i Strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsionit, për vitin 2012-2016, kalon në mbledhjen plenare të Kuvendit.