Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi ...

, 19.03.2012




Lidhur me gjendjen në sektorin e ujit të pijshëm në Republikën e Kosovës, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, u njoftua nga Baton Begolli, këshilltar për projekte ujore në Zyrën e kryeministrit. Begolli në mbledhjen e sotme të Komisionit, po ashtu foli edhe për veprimtarinë e "Task-Force" për ujëra. Sipas Begollit, ristrukturimi i ndërmarrjeve komunale në shtatë ndërmarrje regjionale të ujërave, është e arritur e madhe dhe organizim i mirëfilltë i distribuimit dhe menaxhimit të ujit të pijshëm. Pronare e ujërave, tha në vijim Begolli, duhet të jetë Qeveria, e cila në mënyrë të centralizuar do të menaxhonte ato. Ndërkaq, decentralizimi i ndërmarrjeve do të ishte më i kushtueshëm dhe jo efektiv. Ai me këtë rast përmendi disa veprime të disa komunave, të cilat me vendim të njëanshëm kishin vendosur t'ua ndalin ujin komunave tjera nën pretekstin se i përkasin ekskluzivisht komunës në të cilën edhe buron uji.

Duke folur për furnizimin me ujë të pijshëm në Kosovë, Begolli tha se 76 për qind e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 24 për qind e tyre furnizohen nga puset e ujit të pijshëm. Lidhur me këtë konstatim, anëtarët e Komisionit shprehën mëdyshje duke e konsideruar këtë informatë të pasaktë. Ndërkaq, Begolli sqaroi se, bëhet fjalë për kyçje në rrjetin e ujësjellësisit, e jo për furnizim të pandërprerë të 74 për qind të qytetarëve. Tutje sqaroi ai, se sipas një parallogarie të " Task Force" për ujërat, Kosovës për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza, i nevojiten më se një miliard e 250 milion euro. Duke e cilësuar si të arritur të Qeverisë krijimin e "Task Force" për ujërat, Begolli në vijim foli për të arriturat dhe sfidat që e përcjellin këtë mekanizëm. Ndër aktivitet e përfunduara të "Task Force" ai përmendi: bilancin e ujërave sipërfaqësorë, kornizat menaxhuese për thatësira dhe kontroll të përmbytjeve, konferencat ndërkombëtare, zhvillimin akademik të plan programeve "master" në shkencat e menaxhimit mjedisorë, si dhe vlerësimin e sigurisë së digave në lumenjtë dhe liqenet në Kosovë.

Duke iu referuar nevojave që aktualisht ka "Task Force" për ujërat, Begolli nënvizoi domosdoshmërinë e miratimit, për siç u shpreh ai: "Dokumenteve Strategjike". Me këtë rast ai përmendi Ligjin për ujërat, Strategjinë e ujërave dhe planin e veprimit, Planin e pellgjeve të lumenjve. Duke folur për sfidat, ndërkaq, ai shprehu shqetësimin lidhur me inkasimin e ulët. Po ashtu, Begolli vuri në pah nevojën për mbështetje nga donatorët, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe definimin e qartë të rolit dhe përgjegjësive të aksionarëve.

Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi dhe vendosi ta procedojë për në mbledhje plenare Planin Hapësinor të Zonës me Interes të Veçantë " Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë" të komunës së Lipjanit.

 

Nga Komisioni për Bujqësi ...