Lajmet e fundit

Nga takimi i Komisionit për Shëndetësi... me Grupin punues qeveritar për sigurimet Sociale në Zvicër

, 19.03.2012




Në kuadër të koordinimit të aktiviteteve për negocimin e Marrëveshjes Ndërshtetërore të Sigurimeve Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, sot në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale është takuar me Grupin punues qeveritar për këtë çështje, ndërsa i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i sindikatës në Zvicër, Osman Osmani.

Në takim u diskutua për ecurinë e realizimit të rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës lidhur me negocimin e kësaj marrëveshjeje, të nxjerra në seancën plenare 16 shtatorit 2010. Duke folur për këtë çështje, përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fadil Rracaj, bëri një përshkrim të gjendjes dhe shpalosi detaje rreth angazhimeve për zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë vështrim, ai potencoi se deri tashti janë implementuar pesë nga tetë rekomandimet e Kuvendit, ndërsa të tjerat janë në procedurë.

Hollësi të mëtejshme dha edhe përfaqësuesi i Sindikatës, Osmani, i cili foli për angazhimet e shqiptarëve në Zvicër që kjo çështje të zgjidhet, si dhe për vendimet e gjykatës federale zvicerane në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ai shtroi nevojën për një qëndrim të unifikuar të institucioneve të Kosovës në angazhimet e tyre në këtë drejtim.

Në vazhdim u fol për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për përshpejtimin e procesit për negocimin e marrëveshjes së re të Sigurimeve Sociale. U dakordua që t'iu rekomandohet institucioneve të Kosovës që me procedurë të përshpejtuar të hartojnë legjislacionin përkatës të sistemit pensional dhe shëndetësor, që përfaqësues të komisionit dhe të grupit punues qeveritar të zhvillojnë një takim të përbashkët më dikasterët përkatës qeveritarë, që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës t'i bëjë ftesë zyrtare autoriteteve zvicerane për vizitë në Kosovë dhe që pala e Kosovës të kërkojë nga pala zvicerane shikimin e dokumentacionit që vitin e kaluar i është dërguar kësaj të fundit.

Kryetari i komisionit, Fikrim Damka, i cili udhëhoqi takimin, ndërkaq, bëri një njoftim lidhur me vizitën në Zvicër të kryetarit të Kuvendit dhe të tij, në cilësi të kryetarit të komisionit, të realizuar gjatë këtij muaji, në kontekst të negocimit të kësaj marrëveshjeje. Ai tha se kjo çështje është ngritur nga delegacioni i Kuvendit të Kosovës në secilin takim me zyrtarët e lartë zviceranë, me ç'rast, sipas tij, mirëkuptimi më i madh është gjetur në Parlamentin e Zvicrës.

 

Nga takimi i Komisionit për Shëndetësi... me Grupin punues qeveritar për sigurimet Sociale në Zvicër