Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 19.03.2012
Raportimi i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, lidhur me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit 2011, ishte temë qendrore e mbledhjes së Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit. Me këtë rast Ramë Buja duke folur lidhur me këto sfida theksoi se raporti gjinor në shkollat e Kosovës është i mirë. Ndërkaq, duke folur për strukturën gjinore të mësimdhënësve tha se nga 28270 mësimdhënës sa ka Kosova 41,49 për qind janë femra. Përkitazi me aktivitetet e Ministrisë së Arsimit, z. Buja tha se aktualisht kjo ministri është angazhuar në hartimin e 80 udhëzimeve administrative, një pjesë nga të cilat i ka kryer , ose është në proces të përfundimit të tyre. Ministria, tha ai në vazhdim , ka paraparë që sivjet të organizojë simbolikisht 100 aktivitete në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë frymë më një shtator të këtij viti do të jetë e gatshme edhe abetarja e përbashkët.
Detyra të rëndësishme para Ministrisë shtrohen edhe në aspektin e parandalimit të braktisjes së shkollimit , sidomos kur është fjala për pjesëtarë të komuniteteve. Në këtë aspekt është në realizim e sipër projekti për mësim kompenzues të 163 vijuesve , të cilët tashmë kanë kaluar moshën për të vijuar mësimet e rregullta. Në funksion të mos braktisjes së shkollimit është edhe dhënia e bursave, dhënia e teksteve falas etj. Mospërfshirja e nxënësve në shkollimin fillor është 0, 62 për qind, u tha me këtë rast. Në lëmin e infrastrukturës shkollore u tha se aktualisht janë duke u ndërtuar 34 shkolla në shkallë vendi.
Vëmendja e diskutuesve gjatë debatit shumë të gjerë u përqendrua në cilësinë e procesit mësimor, sidomos kur është fjala për studimet universitare. Çështja shtrohej: sa kuadrot kosovare që kryejnë fakultetet, ose arrijnë gradat shkencore master dhe doktorë, janë konkurrues me sivëllezërit e vet evropianë, për të konkurruar në tregun e dijes dhe të punës. Megjithë sukseset e arritura bëheshin vërejtje se jo gjithherë kënaq cilësia e studimeve. Në këtë kuadër shtrohej çështja e harmonizimit të kërkesave në raportin ndërmjet numrit të të diplomuarve në universitete kundruall kërkesave për kuadro nga ana e punëdhënësve dhe institucioneve të vendit.
Në vijim Komisioni shqyrtoi raportet e komisioneve të përhershme në Projektligjin për Bibliotekat në Republikën e Kosovës. Nga komisionet përkatëse, vetëm Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim kishte bërë një amendament, i cili kishte të bënte me Nenin 9, paragrafi 1, me të cilin rregullohet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, duke propozuar që anëtarë të këtij Këshilli të jenë edhe dy anëtarë nga komunitetet. Gjatë debatit lidhur me ketë amendament u tha se Neni 9 i Projektligjit nuk prejudikon përbërjen etnike të anëtarëve, ndaj nuk ka nevojë për amendamentim të tij. Komisioni përkrahu procedimin e mëtejmë në Kuvend të Projektligjit për Bibliotekat në Republikën e Kosovës.