Lajmet e fundit

GGD-ja priti eksperten nga SHBA-ja, znj. Juli R Weeks

, 20.03.2012




Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës,organizuar nga Sektori për Çështje Kulturore i Ambasadës së SHBA-ve, në Prishtinë, pritën eksperten nga SHBA-ja, znj. Juli R Weeks, e cila njëherësh është presidente dhe kryeshefe e "Womenable", ndërmarrje shoqërore fitimprurëse që punon për të mundësuar ndërmarrësinë e grave në botë, duke përmirësuar sistemet,ligjet, politikat, programet etj.

Nikoqirja e takimit, kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija, pasi i shprehu mirëseardhje znj. Weeks në Kosovë, foli për punën e Parlamentit, ligjet që rregullojnë afarizmin, si dhe nevojën për të amendamentuar disa ligje me qëllim të lehtësimit të hapjes dhe zhvillimit të afarizmit të grave, si dhe për nevojën e fuqizimit ekonomik të gruas që është edhe një nga objektivat e GGD-ës.

Znj. Weeks, e cila ka punuar edhe si drejtoreshë ekzekutive e Këshillit Kombëtar të Biznesit të Grave, një trup këshillues politik jopartiak, i krijuar nga Kongresi i SHBA-ve për bizneset e vogla , praktikat e grave në ndërmarrësi, rëndësinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në programet zhvillimore, si dhe rëndësinë e zbatimit të ligjeve të mira që demokratizojnë vendin dhe promovojnë barazinë gjinore, rol i cili u takon edhe grave në parlament. Weeks foli edhe për rëndësinë e trajnimit të grave, për të hapur e zhvilluar afarizëm të suksesshëm.

Znj. Brovina foli për shkallën e lartë të papunësisë, sidomos të grave dhe rëndësinë e inkurajimit të grave për veprimtari zejtare dhe bujqësore. Donika Kadaj foli për aspektet e zbatimit të ligjit të trashëgimisë, i cili do të përmirësonte pozitën e gruas, sikur ajo të kishte të drejtën e kolateralit, si dhe nevojën e krijimit të fondeve strukturale (praktikë shumë e suksesshme në disa vende). Alma Lama theksoi rëndësinë e aplikimit të masave të reciprocitet me vendet tjera, sepse bizneset në Kosove ballafaqohen me konkurrencë jolojale. Deputetja Myzejene Selmani foli për mundësitë e barabarta, kurse Ganimete Musliu foli për shembujt, se si gratë mund t' i ndihmojnë gratë. Në takim morën pjesë edhe deputet Lirie Kajtazi, Teuta Haxhiu etj.

 

GGD-ja priti eksperten nga SHBA-ja,  znj.  Juli R Weeks