Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 20.03.2012




Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit në Kosovë, ligjit nr. 03/L-075, ishte temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu.

Më këtë rast, Sadriu fillimisht sqaroi se komisioni gjatë monitorimit të këtij ligji ka konstatuar se ky ligj ka nevojë për plotësim-ndryshim. Ai shtoi se në organogramin e qeverisë për vitin 2012 nuk figuron ky ligj. Megjithatë, theksoi Sadriu, kjo çështje është ngritur në Kuvend dhe bashkarisht jemi dakorduar që komisioni në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, t'i qaset kësaj çështje, meqë nevojat për ndryshimin e këtij ligji janë të theksuara.

Tutje, Sadriu përmendi edhe faktin se në ligjin ekzistues sa i përket ndërmarrjeve publike, këto ndërmarrje kanë kompetencë të bëjnë vet përzgjedhjen e auditorit, duke e quajtur këtë fakt konflikt interesi.

Lidhur me ecurinë e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit në Kosovë, si dhe rreth vendimit të grupit të punës për nevojën e ndryshimit të këtij ligji, folën edhe anëtarët e komisionit: Valbona Dibra dhe Armend Zemaj.

Dibra tha se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit është vërejtur se ligji ka pasur mangësi, por shtoi se ligji në përgjithësi nuk ka qenë i pazbatueshëm.

Duke paraqitur rekomandimet e grupit të punës si udhëheqëse e këtij grupi, Dibra tha se nevoja për ndryshimin e këtij ligji ka për qëllim funksionalizimin e mëtejmë të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, dhe se duhet të ndërmerren masa konkrete.

Anëtari i komisionit, Armend Zemaj, tha se kjo çështje është dashur të jetë e përfshirë në agjendën legjislative të qeverisë, meqë ka qenë rekomandim i Kuvendit. Por, shtoi Zemaj, meqë jemi në fazën e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, ky ligj detyrimisht duhet t'i nënshtrohet ndryshimit në tërësi.

Po ashtu, duke u bazuar në ndryshimet kushtetuese ai përmendi edhe mënyrën e përzgjedhjes së auditorit. Tha se kjo ka pësuar ndryshime. Zgjedhja e Auditorit Gjeneral nuk do të jetë më kompetencë e Presidentit, por e Kuvendit, tha Zemaj.

Nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci,gjatë diskutimit të tij tha se bazuar në rekomandimet e komisionit, Qeveria e Kosovës është obligative që ta ndryshojë këtë ligj. Ndërsa, Adem Grabovci shtoi se gjatë plotësimit dhe ndryshimit të ligjit në fjalë, duhet pasur parasysh edhe rekomandimet e grupit të punës së komisionit, meqë ka identifikuar dobësitë të cilat janë hasur. Anëtari i Komisionit, Afrim Hoti, gjatë këtij takimi, paraqiti një propozim tjetër. Ai tha se në bazë të analizave që janë bërë, duhet të kërkohet hartimi i një ligji të ri, e jo plotësim-ndryshimi i tij.

Gjatë këtij takimi u shtrua edhe dilema rreth sponzorizimit të ligjit, nëse kjo duhet të jetë nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, apo duhet të jetë nismë legjislative nga komisioni parlamentar për financa publike.

Porse, pas një diskutimi të gjerë rreth kësaj çështje anëtarët e komisionit u dakorduan që kjo të mbetet përgjegjësi e Qeverisë.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, si dhe Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson.

Gjatë diskutimit të tij rreth kësaj çështje ministri Hamza tha se qëllim i përbashkët është që të ketë një ligj sa më kualitativ, meqë shtoi ai mbulon një fushë shumë të rëndësishme, me qëllim të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Hamza duke paraqitur rëndësinë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit tha se ministria të cilën e përfaqëson, është e gatshme që të marrë të gjitha veprimet dhe të startojë me këtë çështje, në mënyrë që të finalizohet në afat.

„Shpresoj që në leximin e parë, në Kuvend, Ligji për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit në Kosovë, do të jetë para muajit qershor", premtoi ministri Hamza.

Pas shterimit të diskutimit anëtarët e komisionit kërkuan nga qeveria që të fillojë menjëherë procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit në Kosovë, ligjit nr. 03/L-075.

Krejtësisht në fund të mbledhjes, kryetari i komisionit, Ali Sadriu, njoftoi anëtarët rreth përzgjedhjes së auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011. Ai tha se auditor i jashtëm është përzgjedhur kompania audituese "DELOITE", në Prishtinë.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike