Lajmet e fundit

Nga tryeza e punës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 21.03.2012




Në tryezën e sotme të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, u diskutua lidhur me Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, përkatësisht pikës 52. Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdaliu, njoftoi të pranishmit se pikën 52 të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës, Komisioni është i obliguar ta shqyrtojë dhe të formulojë rekomandime për Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane. Ajo po ashtu njoftoi se Komisioni ka bërë mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit kundër dhunës në familje (Ligj që i referohet pikës 52 të Planit të veprimit) me ç'rast ka formuluar edhe rekomandimet lidhur me të.

Lidhur me zbatimin e rekomandimeve për zbatimin e Ligjit kundër dhunës në familje, të formuluara nga Komisioni, në këtë tryezë folën përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përfaqësuesi i Institucionit të Avokatit të Popullit (AP), përfaqësuesi i KMLDNJ-së dhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Shtetit.

Me këtë rast përfaqësuesi i MPMS-së, Bajram Kelmendi, njoftoi për aktivitetin e kësaj ministrie dhe masat që kanë marrë për parandalimin e dhunës në familje. Lidhur me këtë, ai tha se ministria fillimisht ka bërë trajnime profesionale të nëpunësve social, në mënyrë që kjo problematikë të trajtohet sa më profesionalisht. Tutje, Kelmendi njoftoi se zyrat e shërbimeve sociale janë të hapura në të gjitha komunat e Kosovës. Duke folur për ndihmën konkrete që ofron shërbimi social i mbikëqyrur nga kjo Ministri, Kelmendi njoftoi për strehimoret e viktimave nga dhuna në familje dhe ofrimi i konsultimeve juridike profesionale. Ai po ashtu njoftoi se në fokus të angazhimeve të tyre janë fëmijët nga mosha 1 deri në 18 vjet. Në paraqitjen e tij me këtë rast, përfaqësuesi i MPMS-së Kelmendi, tërhoqi vëmendjen se trajtimi i duhur i kësaj kategorie është i varur nga një varg faktorësh. Në vijim ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të ministrive relevante, gjykatave dhe Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesja e PK-së, togerja Tahire Haxholli, duke vënë në pah gatishmërinë e policëve për tu dalë në mbrojtje personave ndaj të cilëve ushtrohet dhunë, njoftoi se PK-ja ka përmbushur të gjitha rekomandimet e paraqitura nga Komisioni lidhur me zbatimin e Ligjit kundër dhunës në familje. Me këtë rast ajo foli për ndihmën dhe sigurinë që u ofrohet dëshmitarëve që paraqesin dhunën në familje për të cilën PK-ja ka themeluar njësi të veçantë. Ajo po ashtu njoftoi për themelimin e shtatë dhomave për intervistimin e fëmijëve.

Përfaqësuesja e Prokurorisë së Shtetit, Shenaj Berisha, duke folur për zbatimin e Ligjit kundër dhunës në familje dhe rolit të tyre, njoftoi se në Kosovë ka 15 zyra prokurorie që trajtojnë këtë problematikë. Ajo me këtë rast tha se brenda vitit evidentohen rreth njëmijë raste të dhunës në familje.

Përfaqësuesi i KMLDNJ-së, Behxhet Shala, duke folur për këtë çështje vlerësoi se shqiptimi i ulët i dënimeve për kryesit e veprave të dhunës në familje, nuk ndikon në parandalimin e dhunës.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Luljeta Damaniku, lidhur me këtë njoftoi se ky institucion më shumë është i fokusuar në monitorimin e gjykatave dhe në këshillime profesionale për viktimat e dhunës në familje. "Ne u ndihmojmë dhe u sqarojmë viktimave se ku mund të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me dhunën në familje", tha ajo.

 

Nga tryeza e punës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...