Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori

, 22.03.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot delegacionin e parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori, president i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së,në përbërje të të cilit ishin edhe on. Matteo Mecacci, president i Komisionit të Tretë (Komisioni për të Drejtat e Njeriut) në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së; sen. mauro Del Vecchio (Partia Demokratike), sen. Giuseppe Caforio (Parti e Qendrës së Majtë) dhe ztr. Giuseppe Maggio, këshilltar parlamentar dhe sekretar i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Me këtë rast delegacioni falënderoi kryetarin për pritjen e ngrohtë, duke i përcjellë njëkohësisht kryekuvendarit edhe përshëndetjet e homologut italian Gjanfranko Fini. Anëtarët e delegacionit treguan interesim që marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës të intensifikohen, duke u angazhuar edhe për formimin e grupit të miqësisë në mes dy parlamenteve. Delegacioni italian theksoi se është duke shqyrtuar modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në këtë frymë u shtrua nevoja që Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës të krijojë një grup pune për vendosjen e marrëdhënieve të vazhdueshme me OSBE-në, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës.

Në vijim delegacioni italian diskutoi edhe për çështjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, të cilat do të mbaheshin nën mbikëqyrjen e OSBE-së.

Kryekuvendari Krasniqi falënderoi delegacionin për këtë vizitë që po i bën Kosovës, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës, por edhe ndërmjet institucioneve të tjera të të dy vendeve. Në fjalën e tij, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise që nga Rambujeja e deri në bisedimet e Brukselit, ndërkaq, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Kreu i legjislativit të vendit ngriti pastaj çështjen e të zhdukurve, e cila ende është e pazgjidhur, pasi Serbia nuk po bën asgjë në këtë drejtim. Ndërkaq, duke i bërë një vështrim zhvillimit ekonomik të Kosovës, ai tha:"Ekonomia që sot kemi në Kosovë është edhe si pasojë shfrytëzimit, por edhe shkatërrimit të saj nga Serbia gjatë luftës".

Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi tha:"Serbia ka bërë ndërhyrje të rëndë në veri të Kosovës, ndërsa zgjedhjet serbe çfarëdo qofshin ato, lokale ose parlamentare, janë të papranueshme për Kosovën". Kryetari i Kuvendit Krasniqi kërkoi që parlamentarët italianë të ndikojnë, që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Gjithashtu, z. Krasniqi tha se shumë shpejt do të formohet Grupi i Miqësisë Kosovë-Itali.

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori