Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme takoi delegacion të parlamentarëve italianë pranë OSBE-së

, 22.03.2012




Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë pritur sot delegacionin italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, i kryesuar nga Riccardo Migliori, president i këtij delegacioni dhe zëvendëspresident i kësaj asambleje.

Kryetari i Komisionit, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, ka falënderuar popullin dhe shtetin italian për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës dhe për njohjen e pavarësisë së vendit tonë. Ai ka folur për sfidat me të cilat ballafaqohet shteti i ri i Kosovës, si dhe për nevojën e ngutshme për zhvillim ekonomik të vendit, për më shumë njohje dhe sovranitet. " Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të dallojmë për çështje të ndryshme të rreth politikave zhvillimore të vendit, por jemi unikë për sa i përket integrimeve evropiane", ka thënë Kurti. Ai ka vlerësuar rolin e OSBE-së në Kosovën e pasluftës, por ka theksuar edhe vështirësitë e saj, kur vepronte si Shtyllë III e UNMIK-ut.

Kryesuesi i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe zëvendëspresident i kësaj asambleje, Riccardo Migliori, ka shprehur interesimin e Parlamentit italian për thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, dhe sidomos interesin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që të dëgjohet edhe zëri i Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me vendin tonë, por edhe për çështjet e rajonit. Ai ka pohuar se vendi i tij ka politikë të jashtme unike, e cila mbështetet në premisat e të qenit anëtar i NATO-s, anëtar e BE-së, si dhe në konsideratën për të qenit faktor në Mesdhe.

Duke e vlerësuar rolin e diplomacisë parlamentare për afirmimin ndërkombëtar të një vendi, Migliori, ka shprehur nevojën që të krijohen grupe funksionale ndërparlamentare të miqësisë, si dhe për krijimin e një grupi ad-hoc që do të komunikonte me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me delegacionet e parlamenteve të vende anëtare, në mënyrë që të dëgjohet edhe zëri i Kosovë dhe që, në një të ardhme jo të largët, edhe Kosova të bëhet anëtare e kësaj asambleje.

Edhe anëtarë të tjerë të delegacionit italian kanë pohuar se nëse BE-ja dhe mekanizmat e tjerë evropian nuk arrijnë t'i integrojnë dhe t'i përafrojnë të gjitha vendet e Ballkanit, atëherë do të konsiderohej dështim i këtyre mekanizmave.

Anëtarët Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Hyseni, Hamiti, Kadaj, Muja e Kervan, nga ana e tyre, kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin italian dhe përgjithësisht për komunikim shumështeresësh me kulturën e popullit mik italian. Ata kanë shprehur edhe interesin e vendit tonë për komunikim dhe anëtarësim edhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Të gjithë, ndërkaq, kanë spikatur rëndësinë që ka funksionalizimi i shtetit të pavarur të Kosovës, por edhe kanë tërhequr vëmendjen për obstruksionet serbe, për ta pamundësuar normalitetin e shtetit të ri të Kosovës. Në këtë mes janë përmendur kompromiset e dhimbshme të shtetit të Kosovës dhe orekset serbe për lëshime të reja. Është kërkuar që çështjet e pakicave në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të zgjidhen sipas standardeve evropiane. Është përmendur, prandaj, edhe mosgarantimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, edhe për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm të KFOR-it dhe EULEX-it.

Parlamentarët italianë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kanë theksuar se nëse rruga e Kosovës për në BE, kalon nëpër Beograd, atëherë rruga e Serbisë për Evropë kalon nga Prishtina, e mbase dhe nëpër portin e Durrësit.

Parlamentarët italianë kanë ftuar zotin Kurti që në krye të një delegacioni nga Komisioni për Punë të Jashtme ta vizitojnë Parlamentin e Italisë.

 

Komisioni për Punë të Jashtme takoi delegacion të parlamentarëve italianë pranë OSBE-së