Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti zëvendëskryeministren për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë, znj.Teuta Arifi
, 22.03.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me zëvendëskryeministren për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë, znj.Teuta Arifi. Pasi u falënderua për pritjen, z. Teuta Arifi i bëri një vështrim përpjekjeve që po bën Maqedonia drejt integrimeve evropiane. Në këtë kontekst, ajo foli edhe për bashkëpunimin me Kosovën dhe shtetet tjera të Rajonit. Në vazhdim ajo foli për Marrëveshjen e Ohrit, e cila si tha ajo, është shtyllë kryesore e stabilitetit të Maqedonisë. Një pjesë të fjalës së vet ajo ua kushtoi edhe incidenteve të fundit në këtë shtet, të cilat tregojnë ndjeshmërinë e tyre, ndaj edhe trajtohen me seriozitet, duke mos lënë hapësirë për qasje selektive, theksoi z. Arifi. Në këtë vështrim ajo vlerësoi pozitivisht edhe vlerësimet e qeverive përkatëse të Kosovës dhe të Shqipërisë për këtë çështje, të cilat ishin konstruktive e në frymë të proceseve euroatlantike.
Kryetari i Kuvendit Krasniqi vlerësoi arritjet e Maqedonisë në rrugën drejt integrimeve evropiane. Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, kreu i legjislativit të vendit theksoi:"Duhet të përqendrohemi në krijimin e marrëdhënieve sa të mira,marrëdhënie partneriteti, të cilat duhet të përforcohen gjithnjë".
Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se institucionet e të dy shteteve duhet të shpeshtojnë kontaktet për të thelluar edhe më bashkëpunimin në të gjithë lëmenjtë. Në këtë frymë, edhe në tërë Rajonin duhet të punohet për krijimin e një klime sa më të mirë, duke inkuadruar në këto rrjedha edhe komunitetet.