Lajmet e fundit

DEKLARATË E PËRBARSHKËT

, 22.03.2012




Takimi i 5-të Ndërparlamentar

14-15 mars 2012
Strasburg


DEKLARATË E PËRBARSHKËT

e kryesuesve të delegacioneve


Në mbyllje të takimit të 5-të ndërparlamentar, Parlamenti Evropian-Kosova, të mbajtur në Strasburg më 14-15 mars 2012, dy kryesuesit:

1. Theksojnë perspektivën evropiane të Kosovës në përputhje me perspektivën evropiane të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si stimulim i fuqishëm për reformat e nevojshme; mirëpresin propozimin së voni të zonjes Ashton dhe të Komisionarit Füle për nisjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, më 28 shkurt 2012; mirëpresin deklaratën e Komisionarit Füle se studimi do të fillojë më 27 mars 2012, gjatë takimit të parë të Këshillit Kombëtar të Kosovës për Integrime Evropiane dhe se duhet të përfundojë më së voni në vjeshtën e vitit 2012;


2. Nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Beogradin, por shprehin shqetësim për moszbatimin edhe më tej të disa marrëveshjeve që janë të rëndësishme për përmirësimin e jetesës së përditshme të qytetarëve nga të dyja anët, si dhe theksojnë se pritet nga të dyja palët që të ndjekin një qasje pragmatike e cila kërkon përkushtim, këmbëngulje dhe ndjenjë përgjegjësie në kërkimin e zgjidhjeve; mirëpresin fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (MIK) dhe inkurajojnë për përpjekje të mëtutjeshme në këtë drejtim;


3. Shprehin keqardhje për radikalizimin e mëtejmë të situatës politike në veri të Kosovës, si rezultat i "referendumit" jolegjitim në të cilin qytetarët e veriut të Kosovës u pyetën nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës; theksojnë se ky referendum ka paraqitur një provokim; inkurajojnë qeverinë e Kosovës që të forcojë përpjekjet e saj për të qenë afër qytetarëve në veri të Kosovës;


4. Vlerësojnë progresin e arritur në sundimin e ligjit në disa fusha, siç është zhvillimi i policisë dhe i doganës; tërheqin vëmendjen për rëndësinë madhore të punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe u bëjnë thirrje shteteve anëtare të BE-së të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të stafit gjyqësor të EULEX-it; i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që të zbatojë me shpejtësi ligjin "Për Mbrojtjen e Dëshmitarëve" dhe nxisin Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe shtetet anëtare që të mbështesin EULEX-in në themelimin e mekanizmit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, përfshirë këtu zhvendosjen e dëshmitarëve; theksojnë se mungesa e një mekanizmi të tillë e zvogëlon mundësinë e EULEX-it për të proceduar me hetimet dhe ndjekjet në përgjithësi dhe më specifikisht me hetimet mbi akuzat e raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PCAE) për trafikim të organeve;


5. Theksojnë se korrupsioni i gjerë dhe sistematik si dhe shkalla e lartë e korrupsionit vazhdon të jetë një sfidë madhore në vend, si edhe në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili minon kështu besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe ndikon në qasjen e tyre në shërbimet publike; nënvizojnë se klima ekzistuese e mosndëshkimit dhe mungesës së sanksioneve adekuate ndaj korrupsionit paraqet një nga problemet më të mëdha në Kosovë;


6. Janë seriozisht të shqetësuar për rolin që luan niveli i lartë i korrupsionit dhe krimi i organizuar në Kosovë; konsiderojnë se kapaciteti i policisë dhe gjyqësorit për luftimin e krimit të organizuar mbetet në një fazë të hershme të zhvillimit dhe u bëjnë thirrje autoriteteve në Kosovë që të ndërmarrin hapa radikalë për përmirësimin e tyre;


7. Shprehin keqardhje për ndjekjen e ngadalshme të atyre që kanë kryer shkelje zgjedhore gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare si dhe për mungesën e vullnetit politik për të vepruar me vendosmëri ndaj mashtrimeve zgjedhore; mirëpresin hapat e parë të ndërmarrë nga gjykatat ndaj atyre që i kanë kryer këto shkelje dhe theksojnë se zgjedhjet kanë shfaqur sfida të rënda për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në këtë fushë;


8. I bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës për përmbushjen e procesit të reformës kushtetuese dhe zgjedhore dhe të mbajë zgjedhje të reja të përgjithshme në përputhje me rrethanat;

9. Vënë në dukje qëllimin e qeverisë së Kosovës që deri në fund të këtij viti të përmbyllë procesin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë krahas largimit relevant të Zyrës Civile Ndërkombëtare si dhe i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që në Kushtetutën e re të ruhen dhe mbrohen parimet e Planit të Ahtisaarit, të cilat e vendosën themelin e pavarësisë së Kosovës;

10. Mirëpresin progresin në reformën gjyqësore, por bëjnë thirrje për më shumë përpjekje në ngritjen e kapaciteteve dhe për të siguruar profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pavarësinë e tyre nga çfarëdo ndërhyrje politike dhe për adresimin e korrupsionit në radhët e tyre;

11. Mirëpresin faktin për fillimin eventual të dialogut për viza dhe ritheksojnë se liberalizimi i vizave varet nga kapacitetet e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reformave substanciale në fusha kyçe; presin që udhërrëfyesi i Komisionit për liberalizimin e vizave të prezantohet në pranverën e vitit 2012.