Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
, 23.03.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, u diskutua për përmbushjen e obligimeve nga Plani i Veprimit të Kuvendit të Kosovës, për Integrimet Evropiane.
Me këtë rast u theksua se komisioni ka kryer të gjitha obligimet në këtë drejtim, duke shqyrtuar raporte të ministrive si dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ndërsa, duke u bazuar në raportet të cilat janë sjellë në komision, anëtarët e komisionit theksuan se është vërejtur një efikasitet më i mirë i Policisë së Kosovës, meqë kjo vërehet në shtimin e veprimeve të policisë. Më tej u diskutua edhe për angazhimet e komisionit në të ardhmen dhe u tha se komisioni do të mbajë edhe dëgjime publike.
Anëtarët e Komisionit u njoftuan edhe për vizitën që ata do ta kenë në Gjermani, prej datës 25-31 mars, si dhe për vizitën e delegacionit parlamentar hungarez në komisionin parlamentar për siguri (më 4 prill).