Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin ”Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”

, 24.03.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori sot pjesë në manifestimin "Epopeja e UÇK-së në Dukagjin".
Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:"

Të nderuara familje të dëshmorëve
E nderuar familje Haradinaj
Të nderuar veteranë të Luftës së UÇK-së
Të nderuar pjesëmarrës
Zonja dhe zotërinj

Na bashkoi sot në këtë vend të trimërive e të traditës së lashtë shqiptare, përvjetori i Epopesë së UÇK-së në Dukagjin dhe nderimi i përjetshëm dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, na bashkoi 24 marsi, dita e bashkimit të armëve të luftëtarëve tanë të lirisë me NATO-n, aleancën më të madhe ushtarake që ka njohur njerëzimi.

Marsi i vitit 1998, me epopetë e tij në Prekaz dhe Gllogjan i dha shpirt dhe forcë Luftës sonë të drejtë çlirimtare, i frymëzoi dhe mobilizoi dhjetëra mijë luftëtarë për betejat finale dhe ngadhënjimtare. Në kujtesën tonë historike, 24 marsi i vitit 1998 shënon një nga ngjarjet kulmore të Luftës së UÇK-së, e cila edhe sot e gjithmonë do të mbajë të gjallë ndjenjën tonë të krenarisë së ligjshme për lavdinë e luftëtarëve, por edhe dhembjen për sakrificën supreme që ata u desh të bënin për një të drejtë natyrore të njeriut e të kombit.


Një vit më vonë, më 24 mars të vitit 1999, forcat e NATO-s, në krye me SHBA, ndërhynë në Kosovë për të ndalur dhe përzënë përfundimisht makinën vrastare të pushtuesit tonë shekullor. Ky akt solidariteti e humaniteti i miqve tanë, do të mbetet në kujtesën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm të Kosovës, të cilët do të ruajnë ndjenjën e mirënjohjes së përjetshme dhe miqësinë e kalitur në orët e vështira të historisë sonë më të re.

Heroizmi i trimave të Gllogjanit e të Dukagjinit ka mbushur faqe lavdie në historinë e Kosovës. Dukagjini i dha ushtarë dhe komandantë të shquar UÇK-së, jo vetëm në këto dhe për këto vise, por për gjithë Kosovën dhe Shqipërinë. Shumë prej tyre ranë në fushën e nderit, si Luani e Shkëlzeni, Edmondi e Salihu, Bekimi e Bedriu, Xhemaili e Agimi, e shumë dëshmorë të tjerë që nuk do të vdesin kurrë. Një fjalë thotë, heronjtë, ashtu si veprat e artit, duken më të mëdhenj nga largësia e kohës. Emrat e të rënëve për lirinë e atdheut, janë skalitur në zemrën dhe kujtesën kolektive të Kosovës, figurat e tyre rriten e madhështohen para brezave nëpër kohët që do të vijnë në epokën e lirisë. Rruga e jetës së tyre ishte e shkurtër dhe e vështirë, por ajo lavdisë është e përjetshme.


Mbi këtë Luftë për jetë a vdekje dhe komandantë trima të saj janë vendosur, jo një herë, rreze verifikimi të pastërtisë, por kanë mbetur ashtu siç ishin, diamant të lirisë e të Pavarësisë që e gëzojmë sot. Ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, ashtu siç besojmë edhe në pastërtinë prej loti të Luftës sonë çlirimtare, prandaj presim që edhe komandanti Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarë të tij, të shpallën së shpejti të pafajshëm dhe t'i kthehen Kosovës e familjeve të tyre.


Drejtësia ndërkombëtare dy herë në Hagë e në Prishtinë së fundmi, dëshmoi se gjuetia e shtrigave mbi pjesëtarët e UÇK-së ishin dhe janë të padrejta e të motivuara politikisht nga dëshmitarë të yshtur. Ndërsa, ekstradimi i Shemsi Nuhiut nga Zvicra te kriminelët e Beogradit, burgosja e Talakut nga Serbia, me arrestin e shpallur për Fatmir Limën e të tjerët, janë dëshmi që konfirmojnë vazhdimësinë e politikës kriminale të Beogradit ndaj popullit shqiptar. Këto dhe shumë çka tjetër, i flasin politikës sonë se si duhet biseduar me qeveritarët serbë, dhe a duhet biseduar në vazhdimësi me kriminelët e qeveritarëve të Beogradit. Këto veprime të Beogradit zyrtarë, duhet të na bëjnë të nxjerrim mësimin e duhur, kjo do të vlente edhe për miqtë tanë se ne nuk mund të harrojmë gjithçka nga e djeshmja e dhimbshme, ndërsa Beogradi të vazhdojë me krime mbi vendin dhe njerëzit tanë.


Zonja dhe zotërinj


Nuk ka prehje më të qetë për të rënët se kur gjaku i tyre bëhet dritë e themel i lirisë së popullit për të cilin kanë luftuar. Ata ranë duke e lënë Kosovën nën rrënoja, por të sigurt për ngadhënjimin e drejtësisë së luftës së tyre çlirimtare. Ata ranë duke lënë një amanet të madh për bashkëluftëtarët dhe për brezat që do të vinin pas tyre. Kjo porosi, ky ideal i dëshmorëve, vjen sot si një obligim e detyrë e ditës dhe e jetës, për të ruajtur e mbrojtur fitoret e arritura me mund e gjak dhe për ta fuqizuar e përparuar atdheun tonë. Sikur dje në luftë edhe sot në paqe, detyrat e mëdha ndaj vendit kryhen më mirë me forca të bashkuara, sepse një është ideali për atdheun. Të bashkohemi rreth atyre që reflektojnë shpresë e besim, vendosmëri e siguri, guxim e përgjegjësi për të qeverisur me popullin dhe pasurinë e tij, që garantojnë lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Gjaku i brezave dëshmorë, mundi dhe djersa e gjeneratave na obligon dhe nuk na len të qetë përderisa nuk jetësojmë aspiratën shekullore për shtet të lirë, për shtet ligjor e demokratik, shtet ku lulëzojnë vlerat evropiane të popullit tonë. Ky është obligimi ynë që nuk pret.


Lavdi dëshmorëve të lirisë!", theksoi kreu i legjislativit të vendit, Jakup Krasniqi, në manifestimin "Epopeja e UÇK-së në Dukagjin".


Po ashtu, kreu i Kuvendit Krasniqi, mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të varrezave të dëshmorëve në Gllogjan, me ç'rast vuri kurora lulesh.

 

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin ”Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin ”Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin ”Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”