Lajmet e fundit

U përmbyll “Java e Gruas”

, 26.03.2012




Grupi i Grave Deputete përmbylli "Javën e Gruas", të cilën e organizoi në bashkëpunim me NDI-në dhe USAID-in gjatë së cilës u mbajtën shumë ligjërata e trajnime për gruan në ndërmarrësi, për zhvillimin e karrierës, të folurit para publikut, si dhe bashkëpunimin me media. Hapjen e bënë nikoqiret e Javës : znj Teuta Sahatqija dhe Laura Nichols.


Për këto trajnime janë sjellë eksperte ndërkombëtare, si: Cathy Allen, Bonnie Broun, Pamela Hart nga të cilat përfituan 100 pjesëmarrëse nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi etj. Në panele kontribuuan edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës: znj; Flora Brovina, Donika Kadaj, Suzan Novobërdali, Alma Lama, Sevdije Lama, Lumnije Morina, Aurora Bakalli, Vjosa Osmani, Rita Hajzeraj ,Ganimete Musliu , Teuta Haxhiu, Emilia Rexhepi, Time Kadrijaj , Lirije Kajtazi, Albulena Haxhiu, Albana Fetoshi, Xhevahire Izmaku.
Java u përmbyll me ndarjen e certifikatave 100 pjesëmarrëseve, të cilat deklaruan se kanë përfituar shumë gjatë kësaj jave, sidomos në zhvillimin e kapaciteteve të tyre në sektorin në të cilin kanë marrë pjesë.


"Javën e Gruas" e përmbyllën kryetarja e GGD, znj. Teuta Sahatqija dhe anëtarja e Bordit të GGD znj.Flora Brovina me ndarjen e 11 mirënjohjeve. Këto mirënjohje GGD-ja i ndan për kontribut të rëndësishëm në: zhvillimin e demokracisë, lirinë e Kosovës, angazhimin për të drejtat e njeriut, promovimin e barazisë gjinore, kontribut në kulturë etj. Këto mirënjohje iu ndan:


Presidentes së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, nga familja Jashari znj. Besarta Jashari, bilbilit të Kosovës, znj. Nexhmije Pagarusha, kryetarit të Parlamentit, z.Jakup Krasniqi, veprimtares Nekibe Kelmendi (pas vdekjes), veprimtareve për të drejtat e njeriut, zonjave: Natasha Kandiq dhe Sonja Biserko, aktores Safete Rogova, redaktores së revistës "Teuta", znj. Sanije Gashi, gazetarit dhe poetit, Halil Matoshi si dhe gruas ndërmarrëse, znj. Dhurata Bardoniqi. Në emër të nderuarve u falënderua presidentja e Kosovës znj Atifete Jahjaga, e cila përfundoi fjalimin e saj duke thënë:" Këtë çmim e pranoj si shtytje dhe inkurajim që të vazhdoj punën time për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqërinë tonë, sepse asnjë shoqëri nuk mund të përparojë pa përparimin e gruas".

U përmbyll “Java e Gruas”