Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit Krasniqi në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

, 27.03.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, mori sot pjesë në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, të kryesuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë :"


E nderuar presidente Jahjaga
I nderuar kryeministër Thaçi
I nderuar zoti Fyle
I nderuar zoti Zhbogar
I nderuar zoti Mustafa
Zonja dhe zotërinj

Që nga fillimi i zbatimit të idesë së Bashkimit Evropian, tash e mbi 60 vjet më parë, Evropa i solli vetes paqe e siguri të qëndrueshme, stabilitet, zhvillim demokratik e ngritje të fuqishme ekonomike. Shumë vende evropiane të paaderuara në këtë bashkim, duke përfshirë edhe rajonin tonë, e kthyen në ideal integrimin e tyre evropian, si mundësi stabiliteti, bashkëpunimi dhe prosperiteti. Procesi i Stabilizim-Asocimit, ka bërë transformime të mëdha në vendet e rajonit dhe ka ndryshuar filozofinë politike të tyre, duke i sjellë më afër Evropës dhe duke konsoliduar demokracinë e brishtë. Filozofia politike e Bashkimit Evropian është bashkëjetesa dhe zgjidhja e të gjitha problemeve në rrugë paqësore e me mjete demokratike. E ardhmja e rajonit tonë në Evropën e bashkuar, nuk do të thotë vetëm hyrje në familjen e popujve të integruar, por edhe garanci për një jete në paqe dhe mirëqenie.

Republika e Kosovës, me konsensus të plotë, është e përcaktuar jetësisht për integrimet euroatlantike. Me Evropën dhe Perëndimin në përgjithësi, ne na lidh e kaluara, na lidh e sotmja dhe do të na lidhë akoma më shumë e ardhmja. Vlerat evropiane në Kosovë kanë jetë më të gjatë, por procesi i përafrimit me Bashkimin Evropian, zyrtarisht ka filluar në nëntor të vitit 2002, nëpërmjet të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim-Asocimit.


Që nga ajo kohë, në Kosovë dhe për Kosovën kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme për integrimin e saj evropian, si Samiti i Selanikut, fillimi i Partneritetit Evropian për Kosovën, hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, hartimi dhe publikimi i Raporteve të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, gatishmëria e BE-së për të asistuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së, Plani për Integrim Evropian 2008-2010, Konferenca e Donatorëve për Kosovën, e drejtuar nga Komisioni Evropian, fillimi i procesit të Liberalizimit të Vizave për Kosovën, dialogu i Procesit të Stabilizim Asocimit, miratimi nga Qeveria e Prioriteteve Strategjike për Integrim Evropian, themelimi i Ministrisë së Integrimit Evropian, fillimi i përgatitjeve për Marrëveshjen Tregtare në mes të BE-së dhe Kosovës, takimet e shumta sektoriale në kuadër të procesit të Stabilizim-Asocimit, nënshkrimi i projekteve të përbashkëta me Shqipërinë dhe Maqedoninë për Bashkëpunim Ndërkufitar dhe marrëveshja me Serbinë për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, emërimi i zotit Zhbogar si përfaqësues special dhe shef i Zyrës së BE në Kosovë, si dhe premtimet për qartësimin e perspektivës evropiane të Kosovës, të marrëdhënieve kontraktuale, procesit të liberalizimit të vizave etj.


Në janar të vitit 2008 në Kuvendin e Kosovës është formuar Komisioni për Integrim Evropian, i cili ka përgatitur për miratim dokumente strategjike të integrimit evropian dhe plane veprimi për zbatimin e tyre. Janë mbajtur katër takime të rregullta midis Parlamentit Evropian dhe Kosovës, para shpalljes së pavarësisë dhe pesë të tjera pas saj. Takimi i fundit i para dhjetë ditëve në Strasburg, rikonfirmoi qëndrimin e avancuar të Parlamentit Evropian karshi Kosovës dhe pavarësisë së saj si dhe thelloi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Unë dëshiroj të falënderoj edhe njëherë zotin Štefan FÜLE, Komisioner për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, në Komisionin Evropian për pjesëmarrjen në atë takim dhe për prezantimin e shkëlqyeshëm të tij. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një kornizë të tërë ligjore, sipas standardeve evropiane, duke u kthyer kështu në një faktor të rëndësishëm të integrimit evropian të Kosovës.


Shpallja sot e formimit edhe të një mekanizmi nacional të Kosovës për integrimin evropian, dëshmon përkushtimin e institucioneve tona në këtë proces kaq të rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për punën e madhe dhe komplekse që kemi përpara për përmbushjen e standardeve evropiane, të kritereve politike, e ekonomike dhe instrumenteve të përcaktuara që nga Kopenhageni, Zagrebi, Selaniku etj., por një organizim dhe koordinim i vazhdueshëm e i gjithanshëm do të mundësojë realizimin e ëndrrës evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova e meriton dhe do të jetë anëtare dinjitoze e familjes së integruar evropiane. Ajo nuk duhet të jetë më peng i askujt.Faleminderit!", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

 

 

Fjala e kryetarit Krasniqi në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian