Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

, 27.03.2012




Në dëgjimin publik të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, u diskutua për Projektligjin për komunikimet elektronike.

Gjatë debatit të cilin e kryesoi Zenun Pajaziti, fillimisht u fol për rëndësinë që ka Ligji, dhe fusha që rregullon ai. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Pajaziti në vijim tha se Komisioni ka vlerësuar se vërejtjet dhe propozimet e juaja nga ky dëgjim publik do të jenë të dobishme për punën e Komisionit gjatë fazës së amendamentimit të këtij Projektligji.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Agim Kukaj, gjatë diskutimit të tij me këtë rast, njoftoi me qëllimin që ka dashur të arrijë Ministria me këtë Ligj. Ne tha Kukaj, me këtë Projektligj përpiqemi të përcjellim ndryshimet në teknologjinë informative dhe promovimin e konkurrencës, duke garantuar shërbimet e duhura të kësaj fushe në tërë territorin e Kosovës. Ai në vijim u shpreh se vërejtjet dhe rekomandimet do të jenë të mirëseardhura për shqyrtim të mëtutjeshëm të Projektligjit.

Opinionin e vet për Projektligjin e paraqiti edhe përfaqësuesi i Autoritetit Rregullativ të Komunikacionit (ART), Ekrem Hoxha. Ai tha se gjatë angazhimit të tyre në grupet punuese të formuara nga MZHE-ja, i kanë harmonizuar qëndrimet, ndërkaq, lidhur me nenin e shtatë të Projektligjit do të diskutohet gjatë fazës së amendamentimit. Sipas tij, Projektligji për komunikimet elektronike e avancon pavarësinë e ART-së, dhe me këtë Kosova arrin shkallë të kënaqshme në harmoni me dispozitat ligjore të BE-së. Se Projektligji është në harmoni me dispozitat ligjore të BE-së, e pohoi edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Novitet Neziri. Ndërkaq, Izer Arifi, nga Ministria e Tregtisë vlerësoi se në dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit, Projektligji duhet të jenë më koncize.

Duke folur për këtë Projektligj, përfaqësuesi i Agjencisë Shtetërore për të Dhënat, Ruzhdi Jashari, kërkoi që dispozitat ligjore që i referohen kësaj fushe të riformulohen më qartë. Jashari, me këtë rast shfaqi edhe disa vërejtje teknike që përmban Projektligji, ndërkaq premtoi bashkëpunim të ngushtë me grupin punues gjatë amendamentimit.

Ndonëse vërejtjet dhe rekomandimet i kishte ofruar me shkrim Komisionit, përfaqësuesi i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK), Ahmet Krasniqi, foli për dispozitat ligjore të Projektligjit për komunikimet elektronike, për të cilat tërhoqi vërejtjen që të mos jenë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për AKK-në.

Duke paraqitur vërejtjet e tyre, përfaqësuesit e IPKO-s u fokusuan në ato dispozita ligjore në të cilat bëhet fjalë për gjobitjen e shkelësve të ligjit, e që i përkasin fushës së komunikimit elektronikë. Me konstatimin e përfaqësuesëve të IPKO-s, u pajtua edhe Xhelal Smakiqi, përfaqësues i PTK-së, i cili po ashtu kërkoi që ky Projektligj të përmbajë një dispozitë ligjore e cila ndalon operuesit ilegal të telefonisë mobile në Kosovë.

Në fund të këtij debati, kryetari i Komisionit Pajaziti, i falënderoi pjesëmarrësit dhe i siguroi ata se vërejtjet e paraqitura me këtë rast, do të inkorporohen në draftin final të Projektligjit për komunikimet elektronike.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...