Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 28.03.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka përkrahur sot Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitet 2013-2015 dhe një projektligj, me amendamente të komisionit funksional, ndërsa ka diskutuar me ministrin e Financave, Bedri Hamza, për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2011.
Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, përmendi disa nga sfidat e identifikuara në Raportit e Progresit, duke vlerësuar arritjen e një progresi të konsiderueshëm në çështjet e ngritura, bazuar në përgjigjet e Ministrisë së Financave.
Në raportin e tij para komisionit, ministri Hamza shtjelloi gjerësisht të gjeturat nga Raporti dhe hapat që janë ndërmarrë ose pritet të ndërmerren nga ministria që ai udhëheq, për përmbushjen e tyre. Ai potencoi një nga një të gjitha obligimet e dala, si: inflacioni, deficiti buxhetor, depozitat qeveritare, transparenca buxhetore, planifikimi fiskal, pirateria etj., të cilat, sipas tij, janë marrë seriozisht dhe janë bërë përpjekje që ato të adresohen.
"Besoj që kemi pasur përparim. Sigurisht që janë sfida dhe probleme që nuk mund të eliminohet në tërësi brenda një periudhe të shkurtër kohore, por jam i sigurt që veprimet e ndërmarra do të reflektojnë në Raportin e ardhshëm të Progresit", u shpreh ministri Hamza.
Anëtarët e komisionit ngritën disa çështje në lidhje me sfidat dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit. U dakordua që komisioni të monitorojë realizimin e hapave të ardhshëm, të planifikuar nga Ministria e Financave për përmbushjen e këtyre obligimeve.
Në vazhdim, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, prezantoi para komisionit Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitet 2013-2015. U potencuan prioritetet e Kuvendit për këtë periudhë, si: hapja e zyrave të deputetëve nëpër qendra regjionale, diplomacia parlamentare, zhvillimi i mëtejmë i teknologjisë informative të Kuvendit etj., ndërsa, u kërkua që të gjendet një zgjidhje për Qendrën Protokollare në Gërmi.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e përkrahën Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve, me rekomandimin që Kryesia të gjejë një zgjidhje përfundimtare për objektin e Vila Gërmisë.
Në këtë mbledhje u përkrah edhe Projektligji për fshatin Hoçë e Madhe, me raportin me amendamente të komisionit funksional.