Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
, 28.03.2012
Vështirësi të shumta e përcjellin implementimin e Ligjit për Avokatin e Popullit. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e nënkryetares së parë të Komisionit, Rita Hajzeraj-Beqa, e cila fillimisht i njoftoi të pranishmit për qëllimin e këtij debati. Lidhur me këtë, ajo tha se Komisioni në fokus të angazhimeve të tij ka monitorimin e këtij ligji, për ç'gjë ka formuar edhe grupin punues për të parë nga afër ecurinë e zbatimit të Ligjit. Në vijim, Hajzeraj tha se jemi në fillim të monitorimit të këtij Ligji andaj ky dëgjim publik do të mundësojë të kem një pasqyrë reale të implementimit të Ligjit. Ajo kërkoi nga Avokati i Popullit, Smajl Kurteshi që të njoftoi Komisionin lidhur me pyetësorin e formuluar nga Komisioni, e që ka të bëjë me implementimin e Ligjit.
Avokati i Popullit, Smajl Kurteshi, ndërkaq, fillimisht njoftojë për sfidat që e përcjellin këtë institucion. Ndërhyrja e Qeverisë në pavarësinë buxhetore të këtij institucioni, mospagesa e zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe mungesa e hapësirave teknike, paraqesin sfidë në implementimin e Ligjit, tha Kurteshi. Ai në vijim foli edhe për disa nene të ligjit të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në punën jo të efektshme të Avokatit të Popullit dhe nëpunësve të institucionit të Avokatit të Popullit. Me këtë rast ai përmendi dispozitën ligjore e cila nuk rregullon si duhet imunitetin e Avokatit të Popullit. Duke iu referuar të arriturave të institucionit që ai udhëheq, Kurteshi vuri në pah faktin se ata kanë bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e vendit. Po ashtu, ai njoftoi se ky institucion ka hapur zyrat e veta në disa komuna, të cilat janë duke funksionuar dhe kontribuar suksesshëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Duke iu referuar statistikave, Kurteshi tha se për dallim nga viti i kaluar, në këtë vit ky institucion ka arritur që 60% e rasteve të marrin epilog pozitiv në favor të atyre që kanë kërkuar ndihmën e Avokatit të Popullit.
Lidhur me zbatimin e këtij Ligji, folën edhe përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Lipjanit. Me këtë rast, ata pasi që përshkruan punën dhe koordinimin e aktivitetit të tyre me Zyrën Qendrore të Avokatit të Popullit, bënë vërejtje për shkresat që u dërgohen nga Zyra Qendrore, të cilat ndodh edhe mos t'i marrin. Andaj, ata ishin të mendimit se shkresat që u adresohen zyrave rajonale, duhet ndjekur vijën zyrtare të komunikimit me mundësi të protokollimit të tyre, pranë zyrave të protokollit nëpër komunat përkatëse.
Për sfidat e implementimit të këtij Ligji, foli edhe Sadete Demaj përfaqësuese e Zyrës së kryeministrit për qeverisje të mirë. Ajo me këtë rast foli për angazhimin e tyre që këtij institucioni t'i krijohen kushte më të mira për punë, ndërkaq, në vijim tregoi për dokumentet e miratuara nga kjo zyrë, e të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të njerëzve në nevojë, pavarësishtë moshës, gjinisë dhe komunitetit.
Në këtë dëgjim publik lidhur me zbatimin e ligjit vërejtje paraqiti edhe Vlladan Trifiq, përfaqësues i një rrjeti të OJQ-ve. Ai vlerësoi se përkthimi i Ligji për Avokatin e Popullit është përkthye shumë dobët në gjuhën serbe. Lidhur me vërejtjet e tij, Kurteshi bëri sqarimet e nevojshme.