Lajmet e fundit

Nga vizita e delegacionit të Komisionit për Punë të Brendshme në Gjermani

, 29.03.2012




Në kuadër të bashkëpunimit me komisionet homologe të parlamenteve të tjera, Komisioni Parlamentar për Punë te Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje te FSK-se i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit, është duke zhvilluar një vizite studimore ne Republikën Federale te Gjermanisë nga data 25 deri me 31 mars 2012. Kjo vizite është organizuar nga Ministria Federale për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim e Gjermanisë dhe është pjesë e projektit "Kontrolli Demokratik i Sektorit të Sigurisë".

Gjate këtyre ditëve komisioni ka pasur shume aktivitet ku mes tjerash është pritur nga kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut zj. Susanne Kastner dhe anëtar të tjerë të komisionit me të cilët është diskutuar për situatën në Kosovë e veçanërisht në veri të vendit, për angazhimin e trupave gjermane të KFOR-it dhe kontributin që shteti gjerman ka dhëne për Kosovën. Delegacioni nga Kosova ka vizituar edhe Qendrën e trajnimeve për misione jashtë vendit të Bundesverit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Bundesverit ku është njohur me funksionim e Komandës për misione jashtë vendit të Ushtrisë Gjermane.

Në ditët në vijim Komisioni do të ketë takime të tjera të rëndësishme në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, me Komisionarin për Ushtrinë, Ministrinë për Zhvillim Ekonomik dhe Akademinë Federale për Politika të Sigurisë. Ky program do të përfundojë me vizitën e delegacionit nga Kosova në Muzeun Ushtarak të Ushtrisë Gjermane në Dresden. Komisioni do të kthehet ne Kosovë, ditën e shtune, më 31 mars 2012.

Nga vizita e delegacionit të Komisionit për Punë të Brendshme në Gjermani