Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë, znj Anne Meskanen
, 03.04.2012
Zhvillimet aktuale në vend dhe thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, posaçërisht ndërmjet dy parlamenteve përkatëse, ishte temë thelbësore e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë, znj Anne Meskanen.
Kryekuvendari Krasniqi duke i uruar mirëseardhje znj. Meskanen, e vlerësoi shumë të rëndësishme vizitën që kishte bërë në Finlandë dhe takimet frytdhënëse që ka pasur me drejtuesit e lartë të institucioneve të këtij vendi mik."Finlanda ka përkrahur dhe përkrah shumë Kosovën viteve të fundit, duke mos harruar edhe kontributin e presidentit Ahtisaari, si dhe praninë e trupave finlandeze në kuadër të KFOR-it që veprojnë në Kosovë".
Znj. Anne Meskanen tha se Kosova për Finlandën përbën prioritet në Rajon. Ajo në vijim u interesua për procesin e ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të vendit, miratimin e ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit nga ana e Kuvendit të Kosovës, duke shfaqur interesim njëkohësisht edhe për procesin e heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve duhet të forcohen edhe më.
Në takim u fol edhe për vizitën e kryekuvendarit të Finlandës që pritet t' i bëjë Kosovës.