Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete organizoi tryezën: zejtaria - mundësi punësimi për gratë në Kosovë

, 03.04.2012




Organizuar nga Grupi i Grave deputete,sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt një tryezë lidhur me veprimtarinë zejtare me titull : Zejtaria-mundësi punësimi për gratë në Kosovë.

Tryezën e udhëhoqi anëtarja e Bordit të GGD-së, znj Flora Brovina, e cila këto ditë është nikoqire e delegacionit të Odës Zejtare të Koblencit në përbërje; z. Verher Vitlih, president i përgjthshëm i Odës Zejtare të Koblencit, z. Alexander Baden, drejtor i përgjthshëm ekzekutiv , dr Evelin Pervanova, e angazhuar për projekte nga Evropa Juglindore, z.Rolf Ëeidmann, projektues ndërtimesh dhe z. Peter Rechman, për projekte për Azinë Juglindore. Znj Brovina ka qenë edhe më herët e ftuar e Odës Zejtare të Koblencit, të cilët i ka inkurajuar të bashkëpunojnë me zejtarët nga Kosova, meqë siç tha znj. Brovina, Kosova ka një traditë të mirë në zejtari dhe ky sektor është kontribuues i rëndësishëm në shumë ekonomi familjare, por edhe në punësimin e një pjese të popullatës. Ajo tha se tani ndihet nevoja që veprimtaria zejtare si sektor shumë i rëndësishëm të modernizohet dhe në këtë aspekt Kosova mund të marrë si shembull përvojën dhe mënyrën se si funksionon zejtaria në Gjermani, për nga mënyra e organizimit si dhe për rolin e Odës Zejtare Gjermane në këtë sektor . Udhëheqësi i delegacionit , z. Vitlih, tha se Kosova ka mundësi shumë të mira për ta zhvilluar dhe modernizuar zejtarinë, veçanërisht në në Prizren, por edhe në komuna tjera, ku ka kushte . Ai tha se kësaj veprimtarie duhet dhënë rëndësi në shkolla dhe në universitete, që ta kenë edhe këtë degë, e cila duhet avancuar. Ai foli edhe për rëndësinë e formimit të Odës Zejtare të Kosovës , ndërkaq, zejtaria tradicionale e Kosovës duhet të pasurohet edhe me zeje të tjera, si: energjia alternative etj.


Në tryezë mori pjesë edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, z. Zenun Pajaziti, i cili tha se Komisioni parlamentar do ta trajtojë Ligjin për zejtarinë dhe është i interesuar të shikojë krijimin e infrastrukturës ligjore për zhvillimin e zejtarisë. Kryetarja e GGD -së, znj Teuta Sahatqija, e cila njëherësh është edhe nënkryetare e komisionit për Zhvillim Ekonomik, theksoi se GGD-ja dhe Komisioni do t' i përkrahin lehtësimet për procedurat e regjistrimit dhe zhvillimit të bizneseve. Në këtë drejtim, gjatë këtij mandati është punuar mirë dhe është duke vazhduar ky angazhim.

 

Grupi i Grave Deputete  organizoi tryezën: zejtaria - mundësi punësimi për gratë në Kosovë