Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së u takua me delegacionin parlamentar të Hungarisë
, 04.04.2012
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së u takua sot me delegacion parlamentar të Hungarisë, të përbërë nga Csampa Zsolt, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes, Farkas Zoltán, anëtar i këtij komisioni, si dhe dr. Tóth József e Mirkóczki Ádám, anëtarë të Komisionit të Sigurisë. Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, z. Lorant Balla.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, duke u dëshiruar mirëseardhje delegacionit dhe ambasadorit hungarez , fillimisht shprehu falënderimet e tij për shtetin hungarez, për përkrahjen dhe njohjen e shtetit të Kosovës, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes të dyja vendeve gjithnjë kanë qenë të mira.
Duke njoftuar delegacionin hungarez rreth funksionimit dhe rolit të komisionit parlamentar të sigurisë, si dhe rreth ligjeve të cilat janë amendamentuar në komision dhe miratimin e tyre në Kuvend, anëtarët e komisionit theksuan se tashmë kanë filluar angazhimet e tyre edhe për mbikëqyrjen e implementimit të ligjeve.
Duke folur rreth monitorimit të ligjeve, anëtarët e komisionit kërkuan mbështetje nga delegacioni me përvojat e tyre parlamentare hungareze, me theks të veçantë në këtë fushë.
Me këtë rast delegacioni hungarez duke falënderuar anëtarët e komisionit për ftesën dhe mikpritjen në Kuvend, folën mes tjerash edhe për marrëdhëniet në të ardhmen mes dy shteteve, me theks të veçantë për bashkëpunimin i cili ka filluar mes komisioneve homologe. Me këtë rast ata vlerësuan se komisioni parlamentar për siguri do ta ketë mbështetjen e tyre në fushën e sigurisë, ndërsa diskutuan edhe për punën e komisioneve parlamentare të Hungarisë.
Tutje, Isufi foli edhe për gjendjen në veriun e Kosovës, ndërsa shtoi se në këtë pjesë ende ka ndërhyrje të institucioneve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se shteti serb vazhdon të ketë politikë të pa reformuar. Më tej ai foli edhe për bashkëpunimin që komisioni ka me ministritë përkatëse, EULEX-in dhe KFOR-in, ndërsa më tej njoftoi delegacionin se aktualisht Kuvendi i Republikës së Kosovës është duke bërë edhe ndryshimet kushtetuese.
Krejtësisht në fund, anëtarët e Komisionit falënderuan delegacionin hungarez duke theksuar se përmes tyre ata do të marrin përvoja të ndryshme nga praktikat demokratike e parlamentare hungareze.