Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi dhe kongresistët amerikanë, mbajtën një konferencë shtypi

, 04.04.2012




Pas takimeve më udhëheqësit më të lartë të Kuvendit të Kosovës, me shefat e grupeve parlamentare, komisionet parlamentare dhe trupat e tjerë të legjislativit, delegacioni i kongresistëve amerikanë, i shoqëruar nga kryeparlamentari Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka shpalosur edhe njëherë qëndrimet amerikane për Kosovën dhe përshtypjet nga takimet e sotme.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ka falënderuar ligjvënësit amerikanë për angazhimet e tyre dhe ka potencuar rëndësinë e raporteve e të bashkëpunimit që Kuvendi i Kosovës ka me Kongresin Amerikan dhe me mekanizmat e qeverisë amerikane në Kosovë, të cilat e ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në punën e tij.

Udhëheqësi i delegacionit të Kongresit Amerikan, David Dreier, vlerësoi të arriturat e Kosovës në zhvillimin e demokracisë, përkundër kohës së shkurtër të shtetësisë së saj. Ai bëri një rezyme të takimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, me ç'rast, ndër të tjera, vlerësoi takimin me gratë deputete të Kuvendit të Kosovës. Kongresisti Dreir shkoqiti veçanërisht, takimin me deputeten Flora Brovina, për të cilën, tha se ngërthen shpirtin e heroizmit të popullit të Kosovës.

"Kam pasur rastin të ulem së bashku me dr. Flora Brovina, e cila, përveç që është mjeke, është edhe shkrimtare e njohur, ka kaluar 19 muaj si e burgosur lufte dhe punon me shumë zell për liri, jo vetëm në rajon, por edhe në tërë botën", theksoi Dreier.

Ai i përcolli edhe njëherë popullit të Kosovës përshëndetjet e Presidentit Obama dhe të Sekretares Klinton.

Kongresisti tjetër amerikan, David Price, këtë vizitë e vlerësoi si vizitën më të mirë, të tyren, në Kosovë.

"Mendojmë se kanë qenë katër vite shumë të mrekullueshme dhe mendojmë që Kuvendi është duke e vazhduar punën e tij për t'u bërë pjesë e familjes së madhe të kuvendeve evropiane", u shpreh Price.

Kongresisti amerikan kujtoi rolin e SHBA-së në rënien e komunizmit, daljen e demokracive të reja në Evropën Qendrore e Lindore dhe foli për bashkëpunimin me këto vende.

"Jemi pjesë e një procesi historik, me daljen e demokracive të reja dhe zhvillimin e institucioneve të reja. Duhet të jemi shumë krenarë me rolin të cilin e ka luajtur vendi im, po ashtu edhe me rolin që e luan vendi juaj, duke i treguar botës se sa punë mund të bëhet", theksoi kongresisti Price.

Kryeparlamentari Krasniqi dhe kongresistët amerikanë, mbajtën një konferencë shtypi